AAK e përmendi si kandidate të pranueshme për kryetare të parlamentit, reagon Shqipe Selimi
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shqipe Selimi, ishte ndër emrat që u përmend nga lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, si kandidate e pranuar për postin e kryeparlamentares.
Haradinaj pas dështimit të seancës së djeshme, tha se po të propozohej Shqipe Selimi apo Saranda Bogujevci për kryeparlamentare, partia që ai përfaqëson, do t’i votonte pa mëdyshje.
Por Shqipe Selimi tha për Indeksonline se secili anëtarë që VV e porpozon për cilindo post, e pranon dhe e kryen me nder secilën detyrë dhe se kjo është e drejtë vetëm e partisë së cilës ata i përkasin.
Ndërsa thotë se AAK ka të drejtë të bëjë porpozime, por jo në këtë rast. Sipas Selimit vetëm VV ka të drejtë ta bëjë propozimin për kryeparlamentare, gjë të cilën tashmë e ka bërë.
Selimi thotë se partitë opozitare se kanë këtë të drejtë dhe se atyre u mbetet vetëm të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë.
“Ne në politikë jemi për shkak se i përkasim një subjekti politik, partisë VV. E VV cilindo anëtarë që e propozon për cilindo post, ne i pranojmë dhe e kryejmë me nder secilën detyrë. Por këtë propozimin e AAK-së normalisht që kanë të drejtë të propozojnë , por jo në këtë rast. Sepse në këtë rast i bjen që VV ta ketë propozimin për kryeparlamentar. Ne e kemi propozuar dhe tashmë e kemi propozimin dhe atë e mbështesim. Kjo është. Atyre u mbetet vetëm të votojnë Për, kunder apo abstenim, siç e përkufizon dhe kushtetuta”, tha ajo.