Logjika e kërcënimit të institucioneve ka perënduar, thotë Tahiri

Shpërndaje

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se është më shumë se kurrë i fokusuar për fuqizimin e shtetit ligjor.
Duke folur për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, për të cilën thuhet se ka ardhur për shkak të kërcënimit, ministri Tahiri ka theksuar se kjo çështje mbetet për t’u sqaruar dhe janë të tjera organe ato që konstatojnë nëse ka pasur kërcënime.

Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’, ai ka thënë se është e papranueshme që zyrtarët e institucioneve që zbatojnë ligjin të kërcënohen nga kushdo qoftë.

‘Mesazhi që unë kam përçuar dhe që i qëndroj plotësisht është se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të duhej dhe nuk mund të shpresojë se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj do të bien pre e presionit, kërcënimit apo shantazhit”, tha Tahiri.

Ai shtoi se mekanizmat e rendit dhe të ligjit kanë nevojë për koordinim edhe më të mirë.