Këshilli Gjyqësor: Elvedin Ferati nuk mund të shqiptonte dënim më të madh për shoferin që goditi Teodorën në Tetovë
Pasi Komisioni prej tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor e shqyrtuan rastin, nga atje thonë se gjykatësi Elvedin Ferati, nuk mund të shqiptonte dënim më të lartë në rigjykim për shoferin , i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska nga Tetova.
“Me vendim të Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës në Tetovë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar anulohen dhe lënda kthehet për rigjykim. Rasti merr një numër të ri dhe në punë merret nga një gjyqtar tjetër. Në zbatim të nenit 428 të Ligjit të procedurës penale, nëse ankimi paraqitet vetëm në favor të të pandehurit, vendimi nuk duhet të ndryshohet në dëm të tij në drejtim të vlerësimit ligjor të veprës penale dhe sanksionit penal”, theksuan nga Këshilli Gjyqësor.
Sot më herët gjatë ditës, Shoqata e Gjykatësve në Gjykatën e Tetovës dolën në mbrojtje të gjykatësit Ferati. Ata njoftuan se në procedimet e përsëritura i pandehuri është dënuar me dënim maksimal me burgim.
“Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedimet e përsëritura, e ka dënuar të pandehurin me dënimin maksimal me burgim, duke marrë parasysh ndalimin e ndryshimit për më keq (Reformatio in peius), si parim të parashikuar në LPP, në një situatë kur, me kërkesë të të pandehurit, Gjykata e Lartë ka anuluar vendimet dhe e ka kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk duhet të ndryshohet në dëm të të pandehurit as në aspektin e kualifikimit ligjor të veprës, as në aspektin e sanksionit penal”, deklaruan nga Nëndega e Shoqatës së Gjyqtarëve Tetovë.