Mbi 2.700 të vdekur nga tërmeti në Mianmar
Numri i viktimave nga dy tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 6.4 ballë në Mianmar është rritur në 2.719, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të Rrjetit të Televizionit Global të Kinës (CGTN), lideri ushtarak i Mianmarit gjenerali Min Aung Hlaing, bëri një deklaratë në lidhje me tërmetet që ndodhën në vend më 28 mars.
Ai theksoi se deri më tani nga tërmetet kanë humbur jetën 2.719 njerëz dhe se presin që numri i viktimave të kalojë shifrën 3.000.
Hlaing tha se numri i personave të lënduar nga tërmeti është rritur në 4.521 ndërsa 441 persona ende janë të zhdukur.
Për shkak të tërmetit në Mianmar është shpallur një javë zie.
Dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 6.4 ballë u shënuan pranë rajonit Sagaing në Mianmarin qendror. Përveç Mianmarit tërmeti është ndjerë fuqishëm edhe në vendet fqinje, Tajlandë dhe Kinë.
Ndërkohë që tërmetet shkaktuan shkatërrime të mëdha në vend, ka shqetësime se numri i viktimave mund të rritet.