Nesër hyjnë në fuqi tarifat doganore, BE i përgjigjet Trump: Gati për t’u hakmarrë
Në mesin e kërcënimeve për luftë tregtare nga Donald Trump, të gjithë sytë janë të mërkurën, ku pritet të hyjnë në fuqi tarifat doganore që ka paralajmëruar presidenti amerikan. Trump e ka quajtur 2 Prillin “Dita e Çlirimit”, me premtime se duke vendosur një sërë tarifash doganore për importet nga vendet e tjera, ai do të çlirojë SHBA nga mbështetja e mallrave të huaja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, tha se BE është e gatshme t’u përgjigjet tarifave të vendosura nga Trump. Ajo tha se BE kërkon dialog, por nuk ka ndërmend të qëndrojë pasiv përballë sulmeve tregtare nga Shtetet e Bashkuara.
“Shumë evropianë ndihen thellësisht të zhgënjyer nga njoftimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Evropa nuk e nisi këtë përplasje. Ne e konsiderojmë të gabuar. Por mesazhi që dua t’ju përcjell sot është se kemi gjithçka që na nevojitet për të mbrojtur qytetarët tanë dhe prosperitetin tonë,” deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo nënvizoi se strategjia e BE-së mbështetet në tre shtylla kryesore: negociatat, diversifikimin e marrëdhënieve tregtare, duke filluar me Kinën, dhe forcimin e tregut të brendshëm. Sipas saj, kjo përplasje nuk është në interesin e askujt dhe do të çojë vetëm në rritje të inflacionit.