Përurohet pikëkalimi i përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”, Kurti: Shembull të përparimit konkret e praktik dhe shenjë të rritjes së mirëbesimit ndërmjet dy shteteve
Në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, dhe anëtarë të dy kabineteve të dy qeverive respektive, u përurua sot pikëkalimi i përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.
Ky pikëkalim i përbashkët “Hani i Elezit – Bllacë” është i bazuar në modelin “hyrje-hyrje”, sipas se cilit qytetarët kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërsa të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. Ky model optimizon resurset dhe rritë kapacitetet për t’u përballur me fluksin në rritje të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi pesë milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon nevojën për lëvizje të lirë e të shpejtë, si të qytetarëve ashtu edhe të mallrave.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë projekt si shembull të përparimit konkret e praktik dhe shenjë të rritjes së mirëbesimit ndërmjet dy shteteve.
“Krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë janë më shumë sesa infrastrukturë kufitare. Janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësisë tonë të mirë”, vlerësoi kryeministri Kurti.
Kësisoj me modelin e ri, siç tha kryeministri, policët kufitarë të dy shteteve të sistematizuar vetëm në hyrje, do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira, duke optimizuar resurset dhe rritur kapacitetet për përballimin e fluksit në rritje të qytetarëve.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se kjo arritje është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë institucional i shprehur përmes mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, dhe njëkohësisht kërkesë e kahershme e qytetarëve nga të dy anët e kufirit. Me realizimin e saj, pritja do të reduktohet dhe do t’i kontribuoj rritjes ekonomike të vendeve tona, shkëmbimit tregtar, forcimit të sigurisë dhe lidhjes mes qytetarëve tanë.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për kryeministrin Mickovski, zëvendëskryeministrin Mexhiti, ministrin Toshkovski dhe ekipet teknike të Maqedonisë së Veriut, si dhe ministrin Sveçla, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut Florian Qehaja dhe Kolonelin e Policisë së Kosovës, Bunjaku, të cilët kontribuan në jetësimin e kësaj marrëveshjeje.
Po ashtu, uroi që kjo nismë të shoqërohet me përfundimin sa më të shpejtë të dy projekteve tjera jetike, të autostradës Bllacë–Shkup dhe të tunelit Tetovë–Prizren, të cilat do të forcojnë më tej ndërlidhjen mes qytetarëve e bizneseve, dhe do të rrisin mobilitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin ndër-shtetëror.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu se kurorëzimi i projektit të sotëm është pasqyrim i aspiratave tona të përbashkëta për kufinj të hapur, por të sigurt. Ai theksoi se Ministritë e Brendshme të dy shteteve gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e sigurisë, e veçanërisht të policisë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickovski,
I nderuari zëvendëskryeministër i Parë Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Pance Toshkovski,
E nderuara zëvendeskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, përfaqësues e udhëheqës të institucioneve shtetërore të dy vendeve tona,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi që sot, pas një kohe të gjatë angazhimi e përkushtimi, po përurojmë një projekt të rëndësisë së veçantë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë janë më shumë sesa infrastrukturë kufitare. Janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësisë tonë të mirë.
I iniciuar në vitin 2021, modeli i ri i pikëkalimit të përbashkët kufitar në Bllacë, i bazuar në parimin “hyrje-hyrje”, është shembull i përparimit konkret e praktik dhe shenjë e rritjes së mirëbesimit midis nesh. Tani e tutje, qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërkaq të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik.
Ky model do të mundësojë sistemimin e policisë kufitare vetëm në hyrje, duke optimizuar resurset dhe rritur kapacitetet për përballjen me fluksin në rritje të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi pesë milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon për lidhjet mes njerëzve tanë, por edhe për nevojën për lëvizje të lirë e të shpejtë, si të qytetarëve ashtu edhe të mallrave.
Na gëzon fakti që tani e tutje, policët tanë do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira. Kësisoj kemi fuqizim të partneritetit dhe bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë.
Ka vite që qytetarët tanë, nga të dy anët e kufirit e kanë pritur këtë arritje. Pritjet e tyre në të dy anët e kufirit më në fund do të reduktohen. E kjo do t’i kontribuoj rritjes ekonomike të vendeve tona, shkëmbimit tregtar dhe lidhjes mes qytetarëve tanë.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë institucional, i shprehur përmes mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona. Këto mbledhje kanë krijuar hapësirë konkrete për bashkërendim dhe marrëveshje të rëndësishme, si ajo e nëntorit të vitit të kaluar në Prishtinë për protokollin e zbatimit.
Shpreh mirënjohjen për kryeministrin Mickovski, zëvendëskryeministrin Mexhiti, ministrin Toshkovski dhe ekipet teknike të Maqedonisë së Veriut, si dhe ministrin Sveçla, ambasadorin Qehaja dhe kolonel Bunjakun për kontributin e tyre në jetësimin e kësaj marrëveshjeje.
Shpresoj që kjo nismë të shoqërohet me përfundimin sa më të shpejtë të autostradës Bllacë–Shkup dhe të tunelit në aksin Tetovë–Prizren. Dy projekte jetike që do të forcojnë më tej ndërlidhjen mes qytetarëve dhe bizneseve, dhe do të rrisin mobilitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërshtetëror.
Gëzuar, urime e ju faleminderit!