Bisedë telefonike Trump-Von der Leyen, zbatimi i tarifave shtyhet deri më 9 korrik
Më herët gjatë muajit, Trump kishte kërcënuar me një taksë prej 50 për qind mbi të gjitha produktet evropiane dhe kishte akuzuar bllokun me 27 anëtarë se ishte formuar posaçërisht për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, Trump kishte thënë se Unioni kishte qenë një interlokutor shumë i vështirë dhe se negociatat me të po shkonin në rrugë pa krye.
Duke reaguar ndaj lajmit të fundit, presidentja Von der Leyen deklaroi se BE dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë së bashku marrëdhënien tregtare më të ngushtë dhe më funksional në botë.
“Evropa është gati të çojë përpara bisedimet me shpejtësi dhe vendosmëri. Për të arritur një marrëveshje të mirë, na nevojitet kohë deri më 9 korrik”, tha Von der Leyen në një postim në rrjetin “X”.
Javën e kaluar, komisioneri evropian për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maroš Šefčovič iu përgjigj kërcënimit të presidentit amerikan se Unioni është i angazhuar për një zgjidhje që “funksionon për të dyja palët dhe që është e bazuar tek respekti dhe jo kërcënimet”.