Fokus: Taravari i ka propozuar Mickoskit të bëjnë qeveri me Ahmetin dhe ta përjashtojnë VLEN-in
Ballina Lajmi i Dites
Lajmi i DitesPa Censurë
Fokus: Taravari i ka propozuar Mickoskit të bëjnë qeveri me Ahmetin dhe ta përjashtojnë VLEN-in
17 May 2025, 17:01
Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari zyrtarizoi largimin nga qeveria dhe kalimin në opozitë, pas përçarjes brenda koalicionit VLEN për shkak të takimeve të tij me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas burimeve të Fokus, një rol kyç në afrimin e Taravarit me Ahmetin ka pasur ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Mejdanit, me mbështetje të Tiranës dhe kryeministrit Edi Rama, që e sheh Taravarin si bashkëpunëtor për “faktorizimin e shqiptarëve” dhe rikthimin e BDI-së në pushtet.
Në takimin me kryeministrin Hristijan Mickoski, Taravari thuhet se ka propozuar që VMRO-DPMNE të përjashtojë VLEN dhe të qeverisë me BDI-në për “qeveri më stabile”, por kjo u refuzua për shkak të premtimeve parazgjedhore dhe korrektësisë ndaj partnerëve të tanishëm.
Edhe pse Taravari mohon këtë ofertë dhe insiston se nuk do të bashkëpunojë me BDI-në, lëvizjet e tij flasin ndryshe. Ai fillimisht kritikoi keqfunksionimin e VLEN-it, por pa kritikuar Mickoskin, duke theksuar se “bashkëpunimi me kryeministrin është i shkëlqyer”.
Pas përjashtimit de facto nga qeveria, Taravari i është bashkuar narrativës së BDI-së për përfaqësim joadekuat të shqiptarëve në pushtet. Megjithatë, shumica qeveritare po përpiqet ta ruajë stabilitetin duke mbajtur disa deputetë nga krahu i Taravarit dhe duke tentuar të tërheqë edhe nga Fronti Evropian i BDI-së.
A është gjithë kjo një strategji për të ndihmuar BDI-në në zgjedhjet lokale dhe për t’u rikthyer në pushtet më vonë si “partner i domosdoshëm”? Apo përpjekje për të shpëtuar vetveten nga dështimi politik dhe perceptimi se ishte “vegël” e DVMRO-së? Disa spekulojnë për marrëveshje mes Taravarit dhe Ahmetit që ai të marrë Gostivarin në këmbim të ndihmës ndaj BDI-së.
Përfundimisht, zgjedhjet lokale do të tregojnë nëse kjo ishte strategji e mençur apo vetëshkatërruese për Taravarin dhe krahun e tij në ASh. Nëse mbeten jashtë loje në përplasjen mes VLEN dhe BDI-së, mund të pësojnë një fiasko si në zgjedhjet lokale të kaluara në Tetovë. Dhe nëse Ahmeti vërtet pensionohet, kush garanton se Taravari do të jetë zgjedhja e Mickoskit për partner të ri?