Zelensky, bisedë telefonike me Ramën
Dhjetë ditë pasi mori pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.
Me anët të një postimi në platformën ‘X’, Zelensky sqaron se ka informuar kreun e qeverisë për sulmet e vazhdueshme ruse dhe hapat që duhen ndjekur me qëllim arritjen e armëpushimit dhe paqes.
“Pata një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E informova për sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë. Këto sulme tregojnë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës. Kjo është arsyeja pse na duhet një presion mjaft i fortë për ta ndaluar më në fund. Ne mbështetemi në të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim që do të ndërmerren në të ardhmen e afërt”.
Presidenti ukrainas njofton se e ka ftuar kryeministrin Rama për të marrë pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore që do të mbahet në Odesa.
“Gjithashtu diskutuam bashkëpunimin tonë me partnerët evropianë dhe unitetin tone. E ftova Kryeministrin të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, dhe Shqipëria do të përfaqësohet. Faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit tonë”.
Në faqen zyrtare të Presidencës Ukrainase, vetë Zelensky sqaron se Kryeministri Rama e ka siguruar se Shqipëria do të përfaqësohet në këtë samit.
Deri më tani janë mbajtur tre samite “Ukrainë – Evropa Juglindore”. Në shkurt të viti të kaluar Tirana u bë mikpritëse e këtij samiti, ku morën pjesë liderë nga Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.