Dështon tentativa e 30 për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës
Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Sikur edhe në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive – e cila nisi më 15 prill – deputetët u mblodhën shkurtimisht të mërkurën dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.
Kjo ishte hera e 30-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të premten e 13 qershorit.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Disa ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e përsëriti thirrjen e tij për partitë e tjera parlamentare për themelimin e një qeverie të unitetit.
“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi”, shkroi Abdixhiku të dielën në Facebook.
Ai paralajmëroi se do ta bëjë të ditur gjatë kësaj jave një agjendë 15 pikëshe, “një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”.
Por, Albulena Haxhiu nga LVV, tha të hënën se për këtë parti qeveria e tranzicionit është e papranueshme.
“Kryeministri Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë dhe LVV është sot subjekti i parë me më së shumti vota në vend. Prandaj, propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit, për ta shkelur atë, dhe natyrisht nuk e kanë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata thonë ‘qeveri e tranzicionit’, por qeverinë e tranzicionit e kemi për momentin”, tha Haxhiu.