Çështja Beleri, Rama replika me Greqinë në Bruksel

Shpërndaje

Gjatë konferences në Bruksel kryeministri Rama iu përgjigj ashpër pretendimeve të përfaqësuesit të Greqisë në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian Athanasios Ioannidis për mos lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.

“Zoti Beleri u arrestua 2 ditë përpara zgjedhjeve në Shqipëri, i akuzuar për korrupsion për 360 euro dhe ka qëndruar i burgosur për 160 ditë dhe nuk është lejuar të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës. Nuk do të komentoj për vendimet e këtij vendi, por një dëshmitar kryesor pranoi se i ishte dhënë ryshfet. Në qoftë se kjo do të kishte ndodhur në një vend të Bashkimit Europian, këto akuza do të ishin rrëzuar tanimë dhe nuk do të mbahej askush, dikush për 9 muaj në burg në një vend tjetër të Bashkimit Europian. Megjithatë, organizata e shoqërisë civile në Shqipëri, organizatat e pakicës dhe opozita në Shqipëri, e kanë dënuar këtë shkelje të konventës së të drejtave të njeriut. Ai nuk lejohet të bëjë betimin dhe ai është kryetar i zgjedhur i bashkisë, po flas për sovranitetin popullor. Është një parim kyç për zgjerimin.”

Rama tha se kjo është një çështje që i takon drejtësisë ndërsa i ka cilësuar si të pavend akuzat ndaj Shqipërisë dhe tha që po krahasohet me Siberinë, sikur dikush po mbahet peng nga një regjim mizor, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

“Jam i detyruar të reagoj ndaj ndërhyrjes nga kolegu grek, i cili e bëri Shqipërinë të dukej si të ishte Siberia dhe që dikush në Siberi po mbahet peng nga një regjim mizor e i përgjakshëm vetëm sepse është shtetas grek. Kjo duhet të jetë arsye për të alarmuar botën se Shqipëria nuk është Shqipëria, por është Siberia.

Më duhet të përgjigjen shumë thjeshtë. Kjo mënyrë për ta parë çështjen është krejt delirante, nuk ka të bëjë aspak me realitetin dhe nëse do të kishte një grimcë të vërtete në të gjithë këtë shpërthim, a besoni se ky qytet do të kishte qëndruar në heshtje e nuk do të kishte thënë asnjë fjalë? Pra, nuk do të kishte pasur as një fjalë, as nga Komisioni Europian, as nga Këshilli Europian, as një fjalë nga shtetet e tjera anëtare?

Kjo është vetëm kaq, një çështje e drejtësisë në një vend sovran ku reforma në drejtësi ka qenë reforma më e lëvduar nga Bashkimi Europian dhe ku më së fundmi askush në Shqipëri nuk është mbi ligjin, qoftë i pasur apo i varfër, qoftë politikan apo qytetar i zakonshëm, qoftë shtetas shqiptar apo grek dhe nuk ka asnjë arsye për ta sjellë gjithë këtë dramë e traumë ballkanike në Bruksel sepse tingëllon shumë, shumë larg asaj çka e bën Bashkimin Europian atë që është.

Më duhet t’i garantoj kolegut grek dhe çdo greku që mendon po njësoj që nuk ka asgjë të tillë. Kjo është thjesht një çështje e drejtësisë dhe drejtësia do të japë përgjigjen, më në fund. Mësoni të respektoni drejtësinë në vendin tuaj dhe në çdo vend të Bashkimit Europian dhe të hemisferës europiane.”

Dy ditë më parë prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe 2 vite burg për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin.

Beleri u arrestua më 12 Maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, teksa ofronte para për të blerë 8 vota në shifrën e 40 mijë Lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Seanca e radhës kur do të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të palës mbrojtëse u caktuan në 28 Shkurt ora 14.30. Më pas i takon GJKKO të japë vendim.

Arrestimi i Belerit, ka ftohur marrëdhëniet e Athinës me Tiranën zyrtare, gjë që u reflektua në bllokimin që Greqia i bëri hapjes së negociatave të BE-së në vendin tonë për grup kapitujt e anëtarësimit.

Klan News