Erdoğan: Sulmet e Izraelit kundër Iranit janë provokim i qartë që shpërfill ligjin ndërkombëtar
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë Iranit janë një provokim i qartë që shpërfill ligjin ndërkombëtar”, transmeton Anadolu.
Presidenti Erdoğan bëri deklarata në llogarinë e tij në mediat sociale në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Ai tha se Izraeli që nga mëngjesi i sotëm e ka çuar strategjinë e tij për të mbytur rajonin veçanërisht Gazën, në gjak, lot dhe paqëndrueshmëri, në një fazë shumë të rrezikshme.
“Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë Iranit janë provokim i qartë që shpërfill ligjin ndërkombëtar. Këto sulme, të cilat u kryen në një kohë kur negociatat në lidhje me programin bërthamor të Iranit po intensifikoheshin dhe kur presioni ndërkombëtar po rritej kundër veprimeve çnjerëzore që shënjestrojnë Gazën, tregojnë mentalitetin e Izraelit që nuk njeh rregulla”, theksoi Erdoğan duke shtuar:
“Qeveria e Netanyahut po përpiqet ta tërheqë rajonin tonë dhe të gjithë botën në katastrofë me veprimet e saj të pamatura, agresive dhe të paligjshme. Komuniteti ndërkombëtar tashmë duhet t’i thotë ‘ndal’ banditizmit izraelit që synon stabilitetin global dhe rajonal”, tha Erdoğan.
– “I shprehim ngushëllimet tona popullit mik dhe vëlla të Iranit”
Presidenti Erdogan shtoi se sulmet e Netanyahut dhe rrjetit të tij masakrues, të cilat po i vënë flakën të gjithë rajonit, duhet të parandalohen.
“Sot përsërisim edhe një herë se nuk duam të shohim më shumë gjak, shkatërrim dhe konflikt në Lindjen e Mesme. Si Turqi, dënojmë sulmet e urryera kundër fqinjit tonë Iranit. Urojmë mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën, shërim të shpejtë të plagosurve dhe i shprehim ngushëllimet tona popullit mik dhe vëlla të Iranit”, tha Erdoğan.