Gjykata kërkoi kthimin e 40 milionë eurove për pagesën e rrymës që ishte bërë për Veriun, flasin nga ZRrE

Shpërndaje

Të hënën Gjykata e Prishtinës e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që t’i paguhet rryma elektrike katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017.

Vendim ky i cili erdhi pas ankesës së dorëzuar nga Avokati i Popullit.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se KEDS obligohet të kthejë te konsumatorët e faturuar për komunat serbe, shumën në vlerë prej mbi 40 milionë eurosh.

Për këtë çështje ‘Gazeta Blic’, ka kontaktuar me zyrtarën për marrëdhënie publike në Zyrën e Rregullatorit për Energji(ZRRE) Adelina Murtezaj, e cila ka thënë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim për këtë çështje.

“Ende nuk e kemi marrë vendimin, bordi e shqyrton, çfardo qëndrimi që merr e bëjmë publike”, ka thë ajo për GazetaBlic.

Por çka thotë aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës?

Gjykata ka theksuar se Avokati i Popullit kishte nisur këtë çështje fillimisht pas një shkrimi në media dhe pas hetimeve të kryera dhe përgjigje të marra nga i padituri, më datën 15 gusht të vitit 2017 kishte ushtruar padi.

Katër pikat në të cilat është bazuar padia e Avokatit të Popullit ka qenë: ZRrE urgjentisht të ndal praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ZRrE-në dhe KEDS-in të gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, ZRrE në pajtim me ligjin të nxjerrë një vendim me anë të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët, sipas tyre, padrejtësisht janë faturuar dhe vazhdojnë të faturohen për energjinë elektrike në katër komunat veriore.

Sipas Aktgjykimit të kësaj Gjykate, ZRRE në seancën e shqyrtimit kryesor ka theksuar se e kundërshton në tërësi atë çka ka deklaruar Avokati i Popullit.

Sipas ZRrE-së, bordi duke u bazuar në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë është i obliguar apo më saktësisht nenin 48, paragrafi 3 pika 3.3, që ndërmarrjet i rregullon t’i lejojë një nivel të arsyeshëm të humbjes në sistemin e shpërndarjes së distribucionit dhe transmisionit dhe duke u bazuar në kompetencat e dhëna për Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, bordi i ZRrE e ka përgatitur një raport në të cilin janë përshkruar në detaje niveli i arsyeshëm i humbjeve në Sistemin e Shpërndarjes.

Ndërsa, sipas këtij aktgjykimi Gjykata në këtë çështje i ka dhënë mundësi edhe KEDS-it që të marrë pjesë në këtë procedurë, duke e cilësuar si palë interesit, por ata nuk janë përgjigjur Gjykatës në asnjë mënyrë.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar kërkesën e Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 43, 44 dhe 46 të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe provave të administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, ku ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, ZRrE kishte sugjeruar që të konsultohet publiku para vendosjes definitive të cakut për 3 vitet pasuese.

“Nga vendimi i kontestuar Gjykata gjen se ai përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij. Të metat e tilla qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Administrative”, thuhet më tej.

Sipas Gjykatës, akti i kundërshtuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij, pasi nuk janë dhënë arsye mbi faktet vendimtare që e kanë kundërshtuar marrjen e tij.

Aktgjykimi thekson se në arsyetimin e aktit është dhënë një formulim i përgjithshëm dhe abstrakt ku thuhet “pas konsultimit me publikun , në mbledhjen e mbajtur më 29 dhjetor 2011, bordi i ZRrE ka miratuar vlerat indikative për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe vlerën indikativë të mesatares së ponderuar të kostos së kapitalit.

Gjykata thotë se nga arsyetimi i vendimit të kontestuar, ka vërejtur se i padituri vetëm ka bërë citimin e vendimit të bordit të ZRrE-së të datës 29 dhjetor 2011 dhe shkresën e këshilltarëve të Qeverisë për Transaksionin e KEDS-it të datës 24 janar 2012, duke konstatuar se “bordi i ka shqyrtuar dhe pjesërisht i ka marrë në konsideratë kërkesat e këshilltarëve dhe ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi”, që sipas Gjykatës nuk është arsyetuar asnjë nga katër pikat e dispozitivit të vendimit të kontestuar me padi.

Gjykata ka vërejtur se ZrRE me vendimin e kontestuar me padi nga i padituri ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht neni 55 ku përcaktohet të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, praktika e faturimit nuk është në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energjinë Elektrike, ngase është bërë trajtim jo i barabartë i banorëve të katër komunave veriore të Kosovës në raport me banorët në pjesën tjetër të Kosovës dhe se faturimi nuk është i autorizuar me ligj dhe sipas aktgjykimit është masë jo proporcionale sipas nenit 55 të Kushtetutës.

Në aktgjykim po ashtu është marrë për bazë edhe një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe theksohet se çdo herë që shteti e detyron një individ për të paguar një sasi parash konsiderohet një kufizim i së drejtës së pronës.

“Gjykata verën se nuk është bërë faturim real i energjisë së shpenzuar nga qytetarët jashtë katër komunave veriore siç është përcaktuar me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht janë ngarkuar për të paguar energjinë të cilën në fakt nuk e kanë shpenzuar”, thuhet më tej në aktgjykimin 9 faqesh.

Gjykata ka theksuar se me propozim të Avokatit të Popullit ka nxjerrë prove me ekspertizë financiare ku është konstatuar se dëmi i shkaktuar i konsumatorëve të pjesës së tjetër të Kosovës si rrjedhojë e energjisë elektrike të pa faturuar konsumatorëve të katër komunave të veriut që nga data 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017 është në shumë: 40,855,480 euro.

Sipas aktgjykimit, ekspertizën nuk e ka kundërshtuar ZrRE, por e kanë kundërshtuar bazën juridike të kërkesëpadisë së paditësit.

Andaj, Gjykata mbi këto arsye ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit duke e anuluar si të kundërligjshëm vendimin e ZrRE-së të datës 6 shkurt 2012 dhe e ka detyruar ZrRE-në që të ndërmarr veprime që të bëjë kthimin e shumës së faturuar në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

Vlen të theksohet se ZrRe ka të drejtë në afat prej 15 ditësh që nga dita e marrjes së aktgjykimit që të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky është aktgjykimi i plotë: 

413-2021-Aktgjykim-nga-GJTHP.-1