Vdes ish-presidenti i Serbisë dhe i akuzuari për krime lufte në Kosovë, Millan Millutinoviq

Shpërndaje

Ish-presidenti, ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, gjithashtu i akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë, Millan Millutinoviq, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.

“Lamtumira e fundit për Millan Millutinovia, ish-president i Republikës së Serbisë dhe ish-nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë”, ka shkruar kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, në llogarinë e tij në “Instagram” të dielën.

Millan Millutinoviq ishte akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë se kishte urdhëruar fushatë sistematike terrori dhe dhune kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90.

Ai ishte bashkëpunëtor besnik i ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ndërsa ka qenë edhe kryediplomat dhe ambasador. Ai e kishte shoqëruar Millosheviqin në bisedimet e paqes së Dejtonit në nëntor 1995.

Megjithëse Millutinoviq ishte paditur gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ai e kreu mandatin pesë vjeçar si president i Serbisë deri në fund të 2002. Ai u dorëzua në Hagë vetëm pasi humbi imunitetin si president.

Ai akuzohej se kishte përgjegjësi personale si president i Serbisë dhe se ushtronte të paktën kontroll formal të forcave serbe. Ai nuk e pranoi fajin duke argumentuar se kishte shumë pak pushtet real si president i Serbisë./AP