Infermieret në Tetovë vazhdojnë protestën! Drejtori fshihet në zyrë, deklarohet kryeinfermierja
Dhjetëra infermiere dhe personel teknik me status të pazgjidhur të punës, dolën sot sërish në protestë përpara Spitalit Klinik të Tetovës. Përveç që s’kanë vendime pune, infermierët pohojnë ka tre muaj që nuk kanë marrë rroga.
“Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ne, por neve na kanë harruar. Ne nuk po kërkojmë dhurata, kërkojmë pagat tona të vonuara, kërkojmë kontratat tona të munguara, vendimet tona të merituara dhe të premtuara. Boll më me rrena”, tha infermierja Fluturie Islami.
Deri sa punonjësit shëndetësorë vazhduan protestën para spitalit, drejtori i këtij institucioni, Agim Berisha ishte mbyllur ne zyrë dhe kishte vendosur persona që ta ruanin derën duke mos pranuar të prononcohet për media. Për problemin e mbi 140 të punësuarve në këtë spital, foli kryeinfermierja Dita Zaimi, e cila nuk kishte zgjedhur krahun e të punësuarve por të drejtorit.
“Nuk ndihem mirë se të gjithë jemi për rrogë dhe këto probleme janë probleme të trashëguara dhe këtu s’ka të bëj as drejtoria as asgjë. Janë problem që janë trashëguar më parë, besoni paraprakisht se na u premtua dhe konkurse për vendime nga ministria se ne nuk mund t’i sajojmë ato gjëra. Ndodhën që ndodhën e dini si është situata ne jemi në pritje dhe si të zgjidhet edhe ministri i ri shpresojmë sa më shpejtë të zgjidhjen dhe këto probleme”, u shpreh Dita Zaimi – kryeinfermiere.
Zaimi kërkoi që punonjësit të formojnë grup pune dhe të adresojnë kërkesat e tyre me shkresë zyrtare.
Ne kontaktuam edhe me sindikatën e pavarur mjekësore të Maqedonisë nga atje na thanë se ata janë duke bërë presion të vazhdueshëm. Sipas sindikatës ata shumë shpejtë do të dalin në përkrahje bashkë me të punësuarit, por potencuan se problemi i njëjtë është në të gjitha spitalet e Maqedonisë.
“Ne bëjmë presion çdo ditë tek drejtorët, se përfaqësuesi ynë është drejtori. Drejtori duhet të kërkojë mjete që ta rregullojë statusin e tyre. Është ai që na paguan rrogat e mbetura.
Ministri nuk është punëdhënësi por drejtori i ISHP. A është Spital Klinik , Spital i Përgjithshëm ose Shtëpi e Shëndetit, neve na interesojnë drejtorët, ndërsa ai më pas se ku do i kërkojë paratë neve nuk na intereson, ne paratë i kërkojmë për ata që është punuar”, deklaroi Goran Ristevski nga Sindikata e Pavarur Medicinale.
Në spitalin klinik të Tetovës ka rreth 400 personel teknik që janë me vendim pune. Rreth 140 infermiere janë me kontrata në vepër. Të gjithë këta të punësuar nëse marrin vendime pune, përsëri në spitalin klinik të Tetovë do të ketë mungesë të stafit mjekësor.