Media britanike: Shqipëria pritet të “pushtohet” nga 30 milionë turistë
Media britanike “Express” në një artikull dedikuar turizmit në Shqipëri duke parashikuar se vendi ynë do të përballet së shpejti me një “pushtim” masiv turistik, pasi numri i vizitorëve të huaj në bregdetin e tij po rritet me shpejtësi marramendëse.
“Shqipëria ka përjetuar një bum të vërtetë në industrinë e turizmit vitet e fundit, me hotele të reja që po hapen dhe plazhet me rërë që janë bërë të preferuarat e influencuesve në rrjetet sociale. Në vitin 2015, mbi tre milionë turistë vizituan Shqipërinë. Ky numër u rrit në katër milionë në 2017 dhe në gjashtë milionë në 2019. Pas pandemisë, shifrat janë rritur ndjeshëm – rreth 10 milionë persona vizituan vendin në vitin 2023, një rritje prej 56% krahasuar me periudhën para pandemisë. Kjo e ka kthyer Shqipërinë në destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë, ndërkohë që qeveria shqiptare parashikon deri në 30 milionë vizitorë të huaj deri në vitin 2030”, shkruan media britanike.
Në një krahasim me vende që regjistrojnë shifra tepër të larta vizitorësh, si Portugalia dhe Kroacia, “Express” vlerëson se trendi rritës i Shqipërisë “është një nivel më i lartë” sesa ai që aktualisht përjetojnë këto dy shtete europiane.
“Shqipëria ka rritjen e tretë më të shpejtë të turizmit në botë, pas Katarit dhe Porto Rikos. Katari ka përjetuar një rritje prej 89% të turistëve nga viti 2019 në 2023, ndërsa Porto Riko ka parë një rritje prej 58% – pak më e lartë se ajo e Shqipërisë”, thuhet më tej.
Sakaq, theksi vendoset edhe te fakti se një ndër investitorët e përfshirë në skenën turistike shqiptare është edhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump, të cilët kanë marrë së fundmi miratimin për hotelin luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.
Duke iu referuar gazetarit lokal nga Saranda, Uesli Didani, media britanike nënvizon se boom-i turistik ka sjellë disa problematike dhe është i vështirë për t’u menaxhuar.
“Turizmi masiv ka rritur çmimet në zonat bregdetare, duke e bërë të papërballueshme qiranë dhe shërbimet për banorët”, ka thënë Didani për median britanike duke shtuar gjithashtu se banorët lokalë po përjashtohen nga tregu i pronave, ngjashëm me ato që po ndodhin në destinacione të ngjashme turistike si Majorka.
“Shqipëria ka qenë prej kohësh një “thesar i fshehur” për turistët në Evropë, me atraksione si Syri i Kaltër – një burim natyror malor, teleferikun Dajti Ekspres që çon turistët në majë të malit, dhe Parkun Kombëtar të Butrintit – një zonë arkeologjike me shtresa të historisë helenistike dhe bizantine. Krahas këtyre, plazhet me rërë dhe resortet bregdetare të Shqipërisë, si dhe temperaturat e larta gjatë verës, e bëjnë vendin një destinacion shumë tërheqës për pushime”, përmbyll artikullin e saj “Express”.A2CNn