SPAK zgjat me 6 muaj hetimet për Ilir Metën, avokati: Prokurori politike, do e çojmë deri në Strasburg
Hetimet ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, u shtynë me gjashtë muaj nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Për këtë vendim reagoi ashpër avokati i Metës, Kujtim Cakrani, i cili pas seancës, në një deklaratë për mediat tha se do e ankimojnë vendimin e Prokurorisë dhe do e kundërshtojnë si të paligjshëm.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim.
Presidentit i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë me 6 muaj, erdha dhe më dhanë vendimin sot. Problemi qëndron pse mbahet presidenti ende në paraburgim, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet? Ju e dini pse mbahet, çështja është politike, edhe mënyra se si u arrestua ishte politike, sikurse edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit.
Presidenti Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike. Hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Çështja hetohet nga Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të donte kishte hetuar policët që rrëmbyen presidenti. Inkuizicioni që po bëhet ndaj Metës është i paprecedentë në botë. Është e pamoralshme dhe joligjore ta mbash ende në paraburgim”, tha Cakrani.
Avokati pretendoi më tej se SPAK i ka tejkaluar të gjitha afatet, duke shpjeguar edhe argumentet që i ka dhënë organi i akuzës për zgjatjen.
“SPAK ka tejkaluar afatet e mbledhjes së provave. Ai ka mbi 7 muaj në paraburgim, prokuroria ka detyrim ligjor që çdo dy muaj të bënte referimin për hetimet. Ne do i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese.
Tani SPAK na thotë se nuk ka mbaruar akoma mbledhjen e provës, kjo është kërkesë e SPAK për zgjatjen e hetimeve. Ajo dihet se kur i zgjat herimet i kanë me 6 muaj, mund ta çojnë edhe 5 apo 4 muaj. Thonë se po presin provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se ça lidhje ka Meta me ish-vjehrrën. Ne nuk jemi kundër hetimit, të hetojë gjithë ditën SPAK. Por kjo është kërkesa, tani jemi njohur me këtë vendim. Padyshim që do e kundërshtojmë”, tha ai.
Shtatë muaj pas arrestimit, Ilir Meta më 27 maj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Kreut të PL i janë komunikuar akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Me të njëjtat akuza Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë të pandehur edhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.