Taravari përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Diaspora bëhet pjesë e popullsisë zyrtare – rritet numri i shqiptarëve
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi ndarjen “rezident – jo rezident”, duke e cilësuar si një hap drejt drejtësisë statistikore dhe përfaqësimit real të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një deklarate publike, Arben Taravari ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë konceptin e diskutueshëm të ndarjes së qytetarëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë” në procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi ndarjen absurde ‘rezident – jo rezident’. Tashmë Diaspora numërohet si pjesë e popullsisë së vendit,” – deklaroi Taravari.
Sipas tij, ky vendim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në pasqyrimin më të saktë të përbërjes etnike të vendit dhe do të ndihmojë në përmirësimin e përfaqësimit institucional.
“Tashmë do të rritet numri zyrtar i shqiptarëve… do të bëhet aq sa realisht janë!” – theksoi lideri i Aleancës për Shqiptarët.
Ky vendim vjen pas reagimeve të shumta nga diaspora dhe partitë shqiptare, të cilat për vite me radhë e kanë konsideruar ndarjen “rezident – jo rezident” si një formë të minimizimit të numrit të shqiptarëve në statistikat zyrtare.