Viziton nesër Shkupin! Zbardhet agjenda e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër do ta presë homologun e tij bullgar, Kiril Petkov, i cili do të vijë për vizitë njëditore zyrtare në vendin tonë bashkë me Kristian Vigenin, zëvendëskryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë, dhe me ministrat bullgarë të Punëve të Jashtme dhe të Transportit dhe Lidhjeve, Teodora Gençovska dhe Nikollaj Sabev.

Sipas paralajmërimeve të Qeverisë, në aeroportin në Shkup delegacionin e qeverisë së Republikës së Bullgarisë do ta presë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pas çka pritet të fillojë pjesa zyrtare e vizitës me pritjen ceremoniale me nderime të larta shtetërore dhe nderime ushtarake para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Delegacionin bullgar do ta presë kryeministri Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Transportit dhe Lidhjeve, Bujar Osmani dhe Bllagoj Boçvarski, si dhe nga anëtarë të Zyrës së kryetarit të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas agjendës së vizitës, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov do të kenë takim tet-a-tet, ndërsa takime të ndara do të kenë edhe zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq me kryetarin e Kuvendit Popullor bullgar, Kristian Vigenin, ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja shteteve, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, si dhe ministrat e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe Nikollaj Sabev.

Programi për vizitën pastaj parasheh mbledhje plenare të të dyja delegacioneve me të cilin do të kryesojnë kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov pas çka do të vijojë edhe konferenca e tyre e përbashkët për media.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov, pastaj, në Klubin e Deputetëve, zyrtarisht do ta promovojnë projektin për ndihmë në zhvillimin “Ditari elektronik për persona me diabet”, të cilin kryeministri Petkov do t’ia dorëzojë kryeministrit Kovaçevski si donacion nga Republika e Bullgarisë.

Në pjesën tjetër të agjendës për vizitën e delegacionit të Republikës së Bullgarisë, kryeministri Petkov do të ketë takime të ndara me presidentin, Stevo Pendarovski dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.