Aliu: Parku përkujtimor për viktimat nga zjarri në spitalin modular në Tetovë do të jetë një qendër simbolike për kujtesë dhe një premtim se kjo nuk do të ndodhë më kurrë
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministrin për politika dhe qeverisje të mirë, Arben Fetai, disa deputetë dhe familjarët e viktimave nga zjarri në spitalin modular, sot vendosën lule në vendin ku do të ndërtohet parku përkujtimor për viktimat e këtij zjarri tragjik.
– Sot nuk po fillojmë vetëm ndërtimin e një parku. Po fillojmë ndërtimin e një kujtese kolektive. Të vonuar, por të domosdoshme. Para katër vitesh, në këtë vend ndodhi një tragjedi që nuk guxon të harrohet, por institucionet heshtën për katër vite. Nuk ndërmorën asgjë, zgjodhën të mos shohin, dhe ajo heshtje ishte padrejtësi për ata që humbën jetën dhe për të gjithë ata që çdo ditë kërkojnë drejtësi. Ky projekt nuk është për fotografi. Ky park nuk është zbukurim. Ai është një përgjigje e vonuar që sistemi është dashur ta jepte moti, por sot më në fund po fillojmë – dhe po fillojmë ndryshe, theksoi në fjalimin e tij ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ai sqaroi se ky projekt ka nisur vetëm disa javë pas marrjes së detyrës si ministër i Shëndetësisë, në drejtim të marrjes së përgjegjësisë, dhe theksoi se parku përkujtimor nuk do të ketë shtigje të drejta, sepse as jeta nuk ka qenë e drejtë për këta njerëz.
– Arkitektura ndjek filozofinë e një kornize të ndërprerë, shtigje të lakuara, pemë që krijojnë hije për mendim dhe reflektim , një qendër simbolike për të kujtuar dhe për të premtuar se kjo nuk do të përsëritet më. Nuk kemi luksin të harrojmë dhe nuk kemi më të drejtë të vonohemi. Ky park është më shumë se një hapësirë. Ai është një kthesë kulturore, një vendim i qartë kundër heshtjes, një ftesë për reflektim dhe një premtim se institucionet duhet të jenë pranë qytetarëve. Jo vetëm pas tragjedive, por edhe para tyre. Ne kujtojmë, veprojmë dhe ndërtojmë një sistem që nuk harron, theksoi Aliu.