ASH – SELA: Bilall Kasami tenton ta shes ujin e pijshëm
Kryetari në largim i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka privatizuar të gjitha pronat publike të tetovarëve, ndërsa tani po bën plane edhe për shitjen e ujit të pijshëm. Sipas të gjitha gjasave, sistemin e ujësjellësit dhe furnizimin me ujë të pijshëm do të ja shet një kompanie private e cila të vetmin investim do ta ketë vendosjen e aparateve për matjen e ujit që konsumojmë qytetarët, ndërsa për këtë do ta rris çmimin e ujit në mënyrë drastike. Edhe këto para ashtu si paratë që mblidhen për mbeturina dhe pronat publike që u shitën për çmime qesharake, do të përfundojnë në kompani private dhe tek njerëz të afërt me Kasamin dhe partinë e tij.
Tetova nuk ka nevojë për privatizim të ujësjellësit sepse Tetova ka ujë të mjaftueshëm, por nevojitet vetëm të mos vidhen paratë që mblidhen nga qytetarët dhe ato të investohen në rrjetin e furnizimit. Të gjithë ekspertët kanë dëshmuar se uji humbet si pasojë e rrjetit të vjetëruar, ndërsa Komuna grumbullon mjete të mjaftueshme edhe me taksat aktuale që të bëjë këto investime.
Komuna e Tetovës nuk ka asnjë arsye të shëndoshë për të privatizuar ujësjellësin, por arsyeja e vetme do të ishte vetëm plaçkitja e tetovarëve dhe përfitimet personale të klanit të Kasamit.