Kush duhet t’i heqë barrikadat?

Shpërndaje

Barrikadat në rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë për të dytën javë me radhë dhe nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen ato.

Për njohësit e rrethanave të sigurisë dhe atyre politike, çështja cenon rendin dhe qetësinë publike, por, megjithatë, kërkon zgjidhje politike.

Disa qytetarë serbë, të anketuar në veri të Kosovës, thonë se barrikadat duhet të hiqen nga vetë ata që i kanë ngritur, por pasi të arrihet një marrëveshje politike për një gjë të tillë.

Grupe të serbëve lokalë i ngritën barrikadat qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që nga ajo kohë, rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se bllokimi i rrugëve me barrikada është çështje e prishjes së rendit dhe sundimit të ligjit dhe se institucion përgjegjës për largimin e tyre është Policia e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale”, të mbështetura nga Serbia, për ngritjen e barrikadave.

Barrikadat mbështeten edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – si dhe nga vetë autoritetet në Serbi.

Vrajolli thotë se, marrë parasysh që në vendosjen e barrikadave janë të përfshira edhe elemente nga shteti i Serbisë, atëherë ato paraqesin “cenim të integritetit territorial të Kosovës”.

Në këtë situatë, sipas tij, intervenimi i misionit të NATO-s, KFOR, për heqjen e barrikadave është i domosdoshëm. Por, thotë Vrajolli, është e dukshme që autoritetet po i japin kohë një zgjidhjeje politike.

“Gjithsesi, këto barrikada nuk do të rrinë gjatë në rrugë. Mendoj se Policia e Kosovës bën veprim të duhur që jep mundësi që këto barrikada të hiqen në mënyrë paqësore. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm policia, por të gjitha organet përgjegjëse të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës duhet të koordinohen së bashku dhe këto barrikada të hiqen”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se, në rrethana normale, barrikadat do të duhej të hiqeshin nga Policia e Kosovës.

Por, sipas tij, rrethanat nuk janë të zakonshme, për shkak të raporteve të këqija ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve në veri të vendit.

Në këtë pikë, thotë Milliqeviq, duhet gjetur një zgjidhje politike, sepse përdorimi i dhunës për heqjen e barrikadave, shton ai, do ta përshkallëzonte situatën.

“Situata ekzistuese në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e ngarkuar me emocione dhe tensione të fuqishme. Kam frikë se çfarëdo heqjeje me dhunë e barrikadave do të shkaktonte pasoja shumë më të mëdha, sesa në rast të një zgjidhjeje paqësore”, thotë Milliqeviq./REL

Lajmi i plotë: Kush duhet t’i heqë barrikadat?