Maqedonci paralajmëron blerje tjera nga kompania turke prej së cilës Kosova u furnizua me dronët e famshëm “Bayraktar”
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar nga Turqia blerje të tjera në të ardhmen nga kompania turke “Baykar”, prej së cilës Kosova është furnizuar me dronët e famshëm “Bayraktar”, shkruan Reporteri.net.
Maqedonci ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij në Turqi është takuar me Haluk Görgün, Udhëheqës i Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, me të cilin kanë shqyrtuar planet për të ardhmen dhe mundësitë e vazhdimit të prokurimit me kompani si Baykar, si dhe shumë të tjera.
“Vizita në Panairin e Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) ishte një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër risitë që këto kompani ofrojnë, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e aftësive të ushtrisë sonë. Faleminderit për mbështetjen e deritanishme, dhe jam i entuziazmuar për projektet e përbashkëta që na presin në të ardhmen! ”, ka shkruar Maqedonci.
Kosova ka blerë dronët Bayraktar TB2 në vitin 20223.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.