Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë me paraqitjen e provave të saj
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, janë njoftuar palët që 15 shtatori 2025 synohet të caktohet si datë për fillimin e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas asaj që ka njoftuar mbrojtja, ndryshe nga ajo e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, prova nuk do paraqesin ajo e Kadri Veselit dhe e Rexhep Selimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Vendimi i Speciales thotë se mbrojtja e Thaçit kishte parashtruar se urdhëresa ndaj tyre që ta paraqesin çështjen e tyre më 25 gusht 2025 pa paralajmërim dhe pa e dëgjuar mbrojtjen, e ka reduktuar kohën në dispozicion për përgatitjen e çështjes së tyre.
Për pasojë, mbrojtja kishte thënë se nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të përgatitur në mënyrë adekuate çështjen e saj dhe nuk do të jenë në gjendje që t’i përmbushin disa afate të përcaktuara nga Paneli, në veçanti atyre për nxjerrjen e materialeve që përbëjnë informacion sipas Rregullës 107.
Parashtresave të mbrojtjes së Thaçit iu ishte bashkuar edhe ajo e Krasniqit e cila kishte shtuar se nuk do të jetë në gjendje që të nisë me paraqitjen e çështjes së saj në javën e 25 gushtit.
Prokuroria kishte parashtruar se një shtyrje e tillë iu konvenon edhe atyre për t’u përgatitur për çështjen e mbrojtjes. Ndërsa, mbrojtësi i viktimave nuk kishte paraqitur kundërshtime në këtë rast.
ZPS parashtroi se shtyrja e kërkuar do të ishte po aq e nevojshme edhe për ZPS-në për t’u përgatitur për paraqitjen e çështjes së mbrojtjes.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e Thaçit ka njoftuar që në tetor të 2022-ës që do të ftonte për të dëshmuar së paku gjashtë nga personat që tashmë figurojnë në listën e saj të dëshmitarëve, e që në total në këtë listë janë 12 dëshmitarë.
Madje, theksohet se mbrojtja kishte thënë se dëshmia e këtyre gjashtë personave ishte thelbësore për çështjen e saj.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka thënë se duke e pasur parasysh pozitat që kanë mbajtur këta dëshmitarë gjatë periudhës së aktakuzës, mbrojtja është dashur ta kujtojë se dëshmia e këtyre personave kërkonte autorizim sipas Rregullës 107 nga entitetet përkatëse.
Këtë duhet ta kishte pasur parasysh mbrojtja edhe për tre persona të tjerë në listën e dëshmitarëve, thuhet në vendimin e gjyqtarëve të Speciales. Trupi gjykues ka nënvizuar se kjo çështje ishte dashur të zgjidhej prej kohësh nga trupi gjykues.
Ndonëse u kritikua mbrojtja, me qëllim që të mundësohet procesi i marrjes së autorizimeve pasi nuk kishte kundërshtime, trupi gjykues vendosi që çështja e mbrojtjes synohet fillojë më 15 shtator 2025.
Por, kjo datë hapje do të caktohet zyrtarisht në konferencën përgatitore që do të mbahet më 19 gusht 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130 e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë me 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore.
Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan me 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitarëve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/