Me 502 vota pro, Parlamenti Europian miraton rezolutën për Shqipërinë
Me 502 vota pro dhe 120 kundër, nga 686 eurodeputetë të pranishëm në sallë, Parlamenti Europian miratoi këtë mërkurë rezolutën për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.
Bashkimi Europian vlerëson në nivelet më të larta progresin e bërë nga Shqipëria. Komisionerja për zgjerimin Marta Kos merr vendin tonë si shembullin më të mirë për punën e bërë në rrugën drejt integrimit.
Marta Kos tha se së shpejti do të hapen edhe dy grupkapitujt e fundit. Komisionerja kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket dhe theksoi se mbështetja ndaj SPAK është jetike për ecurinë e Shqipërisë në rrugen drejt BE.
“Negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”
Komisionerja për zgjerimin kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket duke evidentuar edhe rezultatet pozitive të strukturës së posacme.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”.