RajoniTop Lajme

​Pas 30 korrikut, KEK ndal furnizimin me energji për konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur

Shpërndaje

30 korriku është data e fundit që do të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Në një njoftim në Facebook thuhet se Korporata Energjetike e Kosovës, në përputhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), sipas Ligjit për Energjinë Elektrike si dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), nga data 1 qershor 2025 ka filluar furnizimin me energji elektrike si FMF, për një periudhë maksimale prej 60 ditësh, e cila përfundon më 30 korrik 2025.

“Ky furnizim është i përkohshëm dhe rrjedh nga detyrimet dhe të drejtat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Rregulloren për FMF dhe ka për qëllim të ofrojë kohë të mjaftueshme për konsumatorët që të gjejnë një furnizues afatgjatë të licencuar nga ZRRE”.

KEK thotë se pas datës 30 korrik 2025, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar, do të mbesin automatikisht pa furnizim me energji elektrike nga FMF, pasi që pas këtij afati përfundon e drejta ligjore për furnizim.