BDI: Mickoski në rrugë të gabuar, dështimet nuk fshihen me shpifje
Deklaratat e djeshme të kryeministrit Mickoski dhe shpifjet e sërishme nga ana e tij tregojnë më shumë për hallin e tij sesa për BDI-në. Në vend që të japë llogari për rezultatet e dobëta të qeverisë në çdo fushë, nga ekonomia e deri te izolimi ndërkombëtar, ai merret me sulme boshe ndaj BDI-së.
Në vend që të shpikë armiq imagjinarë, Mickoski duhet të shpjegojë:
• pse qeveria e tij po shkel Kushtetutën dhe ligjin,
• pse po diskriminon shqiptarët,
• pse e përjashtoi diasporën nga përllogaritja zyrtare në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore,
• pse po e instrumentalizon KSHZ-në, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera për plane partiake e monoetnike,
• dhe pse me çdo vendim e kthen vendin mbrapa në kohën e para vitit 2001.
BDI nuk mund të qëndrojë indiferente kur shkelet Marrëveshja e Ohrit, dokument jetik për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e tij progresive. Tentativa e Mickoskit për të krijuar “principata” politike brenda shqiptarëve, duke i copëzuar me parti të vogla të kontrolluara, është një projekt i dështuar që synon dobësimin e përfaqësimit politik shqiptar. Kjo nuk i kontribon kohezionit të shoqërisë dhe stabilitetit politik.
Mickoski, duke u paraqitur si patriot në mbrojtje të kauzës maqedonase, po e dëmton vetë kombin e tij. Goditja e Marrëveshjes së Ohrit nuk e përparon shtetin, por ia zbeh dhe minon perspektivën europiane.
Nuk jemi të interesuar nëse jemi apo s’jemi në qeveri, por që ta çojmë vendin përpara, ta nxjerrim nga qorrsokaku. Me politika të vjetra nuk ecin proceset, me përplasje nuk ndërtohet e ardhmja.
Kjo qeveri nuk është qeveri e qytetarëve, por e botës serbe, me orientim të qartë kah boshti Beograd–Moskë. Çdo vendim i saj e rrezikon kursin euroatlantik që shqiptarët dhe maqedonasit e kanë zgjedhur me shumicë absolute.
Sa për akuzat për krim dhe korrupsion, përgjigjja është e thjeshtë: urdhëroni dhe pranoni propozimin e BDI-së për veting të plotë. Mos mbroni oligarkët dhe mos bllokoni pastrimin e politikës nga krimi. Mos mbroni politikanët e korruptuar, kushdoqofshin ata. Le të ketë hetim për prejardhjen e pasurisë së çdo politikani dhe të çdo partie politike. Le të ketë hetim për procesin e privatizimit. Le të ketë hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja. Ky është propozimi i BDI-së, pranojeni.
BDI është dhe do të mbetet garancia e stabilitetit, e përfaqësimit të dinjitetshëm dhe e së ardhmes evropiane të vendit. Mickoski le ta dijë: shpifjet nuk mbulojnë dështimet, e as orientimin e gabuar të kësaj qeverie. Përgjigjja e qytetarëve do të vijë në tetor dhe ajo do të jetë e qartë.