RajoniTop Lajme

Bllokada institucionale po i kushton shtrenjtë Kosovës, humbje mbi 1 miliardë euro nga mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Shpërndaje

Mungesa e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme po shkakton dëme të mëdha ekonomike për vendin. Paralajmërimet për pasojat e moskonstituimit të Kuvendit tashmë kanë marrë formë konkrete. Sipas njohësve të ekonomisë, Kosova ka humbur ose rrezikon të humbasë mbi 1.2 miliardë euro për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike, ka theksuar se vendi po përballet me pasoja serioze për shkak të vakuumit institucional.

Ai ka përmendur se afro 830 milionë euro nga fondet IPA 2 dhe 3, të lidhura me agjendën e reformave të BE-së dhe projekte të financuara nga SHBA, janë të bllokuara.

Përveç tyre, tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë totale prej 320 milionë eurosh janë të ngrira.

“Projekti që vitin e kaluar ka kushtuar 100 milionë euro, këtë vit nuk mund të realizohet as për 150 milionë. Dhe kur fondet nuk përdoren në kohë, ato ridrejtohen në vende të tjera”, ka deklaruar Gërxhaliu për Ekonomia Online.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka thënë se janë bllokuar marrëveshje në vlerë prej rreth 900 milionë eurosh për projekte kapitale jetike.