Fetai: Koha të rivendosim dinjitetin e MO-së dhe të garantojmë barazi të vërtetë për të gjithë
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka publikuar një mesazh të fuqishëm në lidhje me 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar nevojën për rivendosjen e dinjitetit të saj dhe zbatimin substancial, jo ceremonial.
“Marrëveshja e Ohrit ishte ndërhyrja më radikale që ka ndodhur ndonjëherë në arkitekturën politike dhe juridike të këtij shteti. Ajo ishte çasti kur një sistem u detyrua të reflektojë mbi vetveten”, shkroi Fetai.
Ai kujtoi se për fat të keq, që në vitet e para të implementimit, u zgjodh rruga më e rehatshme politikisht, dhe jo ajo më e drejtë moralisht. “Në vend që të afirmohej si një prej shtyllave të barazisë institucionale, gjuha shqipe u trajtua si përjashtim, dhe jo si e drejtë. Barazia nuk u institucionalizua, por u menaxhua si pengesë që duhej shmangur me improvizime çasti”, theksoi zëvendëskryeministri.
Fetai denoncoi edhe monopolizimin e Marrëveshjes nga një parti politike, që sipas tij e shndërroi atë në instrument për kapital politik. “Marrëveshja, e cila u ngjiz nga një sakrificë kolektive dhe moment historik i ndërgjegjes kombëtare, u reduktua në një instrument për ngritje personale dhe për ndërtimin e një strukture pushteti që më shumë menaxhoi privilegje sesa drejtësi”, shkroi ai.
Zëvendëskryeministri nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si bazament i bashkëjetesës së qëndrueshme. “Vetëm kur secili ndjehet i barabartë, i dëgjuar dhe i pranuar, atëherë bashkëjetesa nuk është barrë, por bekim. Ky është shteti që duam të ndërtojmë, jo duke përsëritur gabimet e së kaluarës, por duke i përmirësuar me guxim dhe përgjegjësi”.
Fetai riafirmoi angazhimin e qeverisë për zbatimin substancial të Marrëveshjes së Ohrit si detyrim moral ndaj qytetarëve.