Tronditës akti çnjerëzor/ Osmani kërkon hetim rigoroz për dhunimin e 11 vjeçares: Askush mbi ligjin

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur tronditës aktin çnjerëzor të dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka kërkur hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Ajo ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe ai duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Postimi i saj i plotë:

Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.

Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.

Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore.