MaqedoniTop Lajme

Ja kur do të vihen në funksion kamerat e rrugës

Shpërndaje

Pushteti është duke kaluar ndryshimet e fundit ligjore që do të mundësojnë përdorimin e sistemit “Qytet i sigurtë”, ose kamerat e rrugës, nga një janari i vitit të ardhshëm. Kamerat e rrugës do të monitorohen për t’u dokumentuar shkeljet eventuale në trafik. Numri i targave lidhet me pronarin e makinës, dhe në rast të shkeljes, krijohet procesverbal me urdhërpagesë kundërvajtëse për pronarin, ndërsa me fotografi dokumentohet shkelja, raporton Alsat.

Njoftimi i pronarit të automjetet për shkeljen do të bëhet në mënyrë elektronike përmes e-mailit ose sms porosive, dhe jo me postë.

Ndërsa nëse kryerësi nuk e pranon përgjegjësinë, ka të drejtë që në afat prej 8 ditësh, dokumentet që i ka marrë përmes sms-porosisë, t’i dorëzojë në gjykatën kompetente, që do të shërbenin si kërkesë për fillimin e procedurës së shkeljes. Nëse pronari i makinës nuk e ka drejtuar automjetin, gjatë kohës që është kryer shkelja, ai është i obliguar që në afat prej 8 ditësh të jep të dhënat e identitetit të personit që ia ka dhënë makinën. Këtë do ta bëjë në stacion policor, bashkë me personin që e ka kryer veprën, ose i vetëm.

Nëse qytetari do të pranojë rrejshëm fajin, ai do të gjobitet me 500 euro. Në ndryshimet e fundit, planifikohen edhe kufizime tjera në përdorimin e pajisjeve teknologjike nga pjesëmarrësit në komunikacion.

Ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski, në muajin korrik sqaroi se ka filluar procesi i ndryshimit të disa ligjeve që lidhen me zbatimin e këtij sistemi.

Pajisjet e sistemit “Safe City” tashmë janë testuar që në mars të këtij viti. Rezultatet e testimit të pajisjeve dhe kamerave ishin pozitive.