Punësimi i 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës/ BDI-ja kërkon dorëheqjen e Aliu, VLEN e quajnë hipokrizi
Vazhdojnë përplasjet mes BDI-së dhe VLEN-it lidhur me vendimet për punësime në Spitalin Klinik të Tetovës. BDI thotë se ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu ka manipuluar dhe mashtruar 155 punonjës dhe të gjithë opinionin publik. Ata kërkojnë dorëheqjen e Aliut.
“Dje kemi dëshmuar një absurditet skandaloz: Azir Aliu e demanton Azir Aliun! Fillimisht njoftoi për punësime, pastaj i mohoi ato, duke dëshmuar se i gjithë procesi ishte një gënjeshtër politike për të fituar pikë elektorale mbi kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve të shëndetësisë. Ministri Aliu ka humbur çdo kredibilitet dhe nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Azir Aliut!”, thonë nga BDI.
Por nga VLEN këtë reagim e cilësojnë si një hipokrizi, duke nënvizuar se ishte pikërisht BDI, partia e cila për mbi 2 dekada e ka shkatërruar sistemin shëndetësor, e në veçanti spitalin e Tetovës.
“BDI dhe Taravari le të kujtojnë se qytetarët nuk vuajnë nga amnezia, ata e dinë kush e shkatërroi shëndetësinë dhe kush po e ngre atë nga rrënojat. Ne do ta kurojmë shëndetësinë, por asnjëherë mendjen e prishur të BDI-së dhe Taravarit”, thonë nga VLEN.
Bëhet fjalë për punonjës që prej kohësh janë të angazhuar, por pa vendime pune. Lidhur me këtë çështje kanë protestuar edhe gjatë kohës, kur në krye të shëndetësisë ishte Arben Taravari./Alsat.mk