Sulmi izraelit ndaj spitalit në Gaza, Trump: Nuk isha në dijeni, duhet t’i japim fund luftës
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka reaguar për sulmin izraelit në Gaza ku u vranë 20 persona, mes të cilëve edhe 5 gazetarë.
Trump ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të sulmit, teksa theksoi se “nuk është i lumtur për këtë”
“Nuk e dija këtë. Nuk jam i kënaqur me këtë që ndodhi. Nuk dua ta shoh këtë. Por, në të njëjtën kohë, duhet t’i japim fund këtij… këtij makthi”, tha ai.
Nga sulmi ajror izraelit ndaj spitalit Nasser në Khan Yunis në Gaza mëngjesin e kësaj të hëne, mbetën të vrarë 20 persona. 5 prej tyre ishin gazetarë të mediave ndërkombëtare.
Sipas vëzhguesve të mediave, rreth 200 gazetarë janë vrarë përgjatë dy vjetëve të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.