MaqedoniTop Lajme

AKI: “Izet zgjidh: ministër apo kandidat, të dyja nuk shkojnë bashkë!” (VIDEO)

Shpërndaje

Sot jemi këtu për të ngritur një çështje serioze, që lidhet jo vetëm me zgjedhjet lokale në Çair, por me standardet e demokracisë dhe barazisë në garën politike në vendin tonë.

Izet Mexhiti, aktualisht zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe ministër i Ekologjisë, është njëkohësisht edhe kandidat për kryetar të Komunës së Çairit. Dhe ja ku qëndron problemi thelbësor: megjithëse ka shpallur kandidaturën e tij, Mexhiti nuk ka dhënë dorëheqje nga dy funksionet e larta shtetërore që mban.

Pyetjet që ngrihen janë të thjeshta:
– Pse Izet Mexhiti nuk jep dorëheqje?
– A ka frikë nga humbja e zgjedhjeve të 19 tetorit?
– A nuk i beson forcës së votës së qytetarëve të Çairit?
– Apo ka vendosur që të mbajë një “plan B” – që nëse humb këtu, të vazhdojë të rrijë në karrigen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit?

Kjo është fyese për qytetarët, është fyese për institucionet dhe është një shkelje e parimeve të barazisë politike. Sepse Çairi nuk ka nevojë për një kandidat që garon me privilegjet e qeverisë, por për një garë të ndershme, të hapur dhe transparente.

Kërkesa jonë është e qartë dhe e prerë:
Aleanca Kombëtare për Integrim kërkon dorëheqje të menjëhershme të Izet Mexhitit nga të dy postet qeveritare.

Nëse vërtet dëshiron të shërbejë Çairit, le të dalë para qytetarëve vetëm si kandidat, pa pushtet qeveritar në xhep dhe pa resurse shtetërore të vëna në shërbim të fushatës së tij.

Çairi nuk ka nevojë për kandidat që fshihet pas qeverisë. Çairi ka nevojë për vizion, për sinqeritet dhe për guxim.

Prandaj i themi qartë Mexhitit:
Zgjidh – ose ministër, ose kandidat. Të dyja nuk shkojnë bashkë!

Çdo vonesë, çdo justifikim, është vetëm dëshmi e frikës së tij nga verdikti i 19 tetorit.