Maqedoni

Aksionet e konfiskuara të Sasho Mijalkovit mbeten të pashitura edhe pas dy vitesh

Shpërndaje

Aksionet dhe pjesët e kapitalit të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov, edhe pas më shumë se dy viteve mbeten të pashitura nga Agjencia për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar, e cila është pronari i tyre aktual.

Auditimi i ri i pavarur për punën e kësaj agjencie konfirmon se letrat me vlerë të konfiskuara nga ish-shefi i policisë sekrete ende paraqiten në kontabilitet sipas vlerës së tyre fillestare nominale, pa pasur rivlerësim.

Në pasqyrën e prezantuar, pjesa më e madhe e aksioneve në Halk Bank dhe një pjesë në Stopanska Banka – Manastir nuk kanë qenë pronë e Mijalkovit, po ashtu edhe aksionet që Agjencia për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar zotëron në AD Slavija.

Asnjë nga aksionet që posedonte Sasho Mijalkov në disa shoqëri aksionare, të cilat iu konfiskuan me vendim për marrëveshje me Prokurorinë në rastin “Imperija” dhe që tani menaxhohen nga Agjencia, nuk u shitën në ankandin e bursës që u mbajt në korrik 2023 në Bursën e Maqedonisë.

Ankandi u organizua nga Agjencia, e cila në shpallje publike njoftoi emrat e shoqërive aksionare, numrin e aksioneve, vlerën nominale dhe çmimin fillestar. Roli i Bursës ishte të njoftojë shoqëritë ndërmjetëse, pra pjesëmarrësit në tregun e kapitalit. Gjatë pesë ditëve që ishte i hapur ankandi, nuk u realizua asnjë transaksion.

Në shpalljen publike u ofruan:
• 533 aksione të zakonshme në TTK Bank me çmim fillestar 1.380 denarë për aksion,
• 50 aksione në “Popova Kula” – Demir Kapija me vlerë nominale 3.075 denarë,
• 7.108 aksione në Stopanska Banka Bitola, që përbëjnë 1,84% të kapitalit të shoqërisë, me vlerë nominale 21.639.000 denarë dhe çmim fillestar 2.772 denarë për aksion,
• 1.113 aksione në Halk Bank, që përbëjnë 0,53% të kapitalit, me çmim fillestar 10.000 denarë për aksion.

Nga Mijalkov iu konfiskuan gjithashtu:
• 500 aksione në “Ugotur” AD Shkup, me vlerë nominale 525 euro secila,
• 744 aksione nga Kombinati i Duhanit Prilep, me vlerë nominale 38.040 euro,
• 592 aksione të lëshuara nga RZh “Uslugi” AD Shkup, secila me vlerë 3.025 euro,
• 292 aksione të “ArcelorMittal Shkup (HRM)” AD Shkup, me vlerë nominale 1.492 euro secila.