Aleanca për Shqiptarët: Qeveria e VMRO-së dhe VLEN-it ka humbur shpresat e integrimit dhe ardhmërinë e rinisë
Letra e fundit nga Bullgaria, që akuzon Maqedoninë e Veriut dhe vë në pikëpyetje integrimin evropian, është dëshmi e hidhur e kapitullimit të plotë të qeverisë së VMRO-së dhe VLEN-it.
Kjo qeveri ka zgjedhur heshtjen dhe nënshtrimin përballë krimit dhe nepotizmit. Me heshtjen e saj, ajo ka humbur shpresat e integrimit dhe ka rrënuar ardhmërinë e rinisë së këtij vendi. Në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, ajo e ka ulur kokën dhe e ka lënë vendin pa dinjitet.
VMRO mashtron, VLEN justifikon – ndërsa qytetarët paguajnë çmimin me izolim dhe poshtërim ndërkombëtar.
Na premtuan “rrugë të shpejtë drejt BE-së”. Rezultati? Letra denigruese nga një vend anëtar i BE-së dhe një perspektivë evropiane e bllokuar. Në vend të vizionit diplomatik, kemi paaftësi. Në vend të politikës së jashtme, kemi pazare për karrige. Në vend të integrimit, kemi stagnim dhe krizë.
Shqiptarët kanë qenë gjithmonë motori i integrimit euroatlantik. Sot, VLEN ka zgjedhur të jetë fasadë e VMRO-së, duke u kthyer në mbulesë për politikat antievropiane të saj. Në vend që të mbrojë shqiptarët, VLEN po e poshtëron zërin e tyre. Në vend që të jetë garant i ardhmërisë, është bërë garant i dështimit.
Qeveria duhet të tregojë pse Maqedonia e Veriut ndodhet sot në pozitën më të turpshme diplomatike në rajon.
VLEN duhet të tregojë pse hesht dhe pse pranon të jetë ortak në këtë tradhti politike.
Asnjë premtim dhe asnjë justifikim nuk e mbulon faktin: VMRO dhe VLEN e kanë shitur integrimin evropian për pushtet afatshkurtër.
Aleanca për Shqiptarët thekson se integrimi evropian është kauza e qytetarëve dhe sakrificave të tyre. VMRO dhe VLEN kanë dështuar – dhe ky dështim do t’i ndjekë në çdo derë, në çdo fushatë dhe në çdo votë.
Aleanca për Shqiptarët