Dekani i FSHMN-së Prof. Dr. Alit Ibraimi dhe prodekani i FSHZ-së Prof. Dr. Kujtim Elezi i vizituan disa universitete në Mbretërinë e Bashkuar
Prej 15–19 shtator 2025, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Alit Ibraimi dhe prodekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Kujtim Elezi, e vizituan Universitetin e Mançesterit dhe Universitetin Caledonian të Glasgouit në Mbretërinë e Bashkuar. Këto vizita u realizuan në kuadër të projektit “Supporting Brain Gain Diaspora Engagement Initiatives in North Macedonia”, i krijuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëllimi kryesor i vizitës ishte nxitja e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve vendore dhe atyre britanike, si dhe forcimi i rrjetëzimit institucional në fushën e hulumtimit dhe shkëmbimit akademik.
Në Universitetin e Mançesterit, delegacioni u prit nga Stefan Bouzarovski, profesor i gjeografisë humane në Institutin Urban. Ai bëri një prezantim të detajuar mbi historikun dhe zhvillimin e universitetit, teksa më pas, në kuadër të vizitës, u zhvilluan takime me: prof. Pam Qualter, udhëheqëse e hulumtimit në Shkollën e Mjedisit, Edukimit dhe Zhvillimit; Louise Gorton, menaxhere për mbështetje të hulumtimit; Prof. Jen O’Brien, udhëheqëse e procesit të mësimdhënies për qëndrueshmëri dhe Mags Bradbury, udhëheqëse e përgjegjësisë sociale dhe angazhimit qytetar.
Më pas, delegacioni e vizitoi edhe Universitetin Caledonian të Glasgouit, ku u pritën nga prof. Slobodan Mickovski, profesor i ndërtimtarisë dhe menaxhimit të mjedisit. Profesori Mickovski elaboroi të kaluarën, specifikat dhe ngritjen e universitetit ndër vite. Gjatë vizitës, u zhvilluan takime me prof. Craig Thomson – dekan i asociuar për hulumtim; Seth Thomson – përfaqësues nga Menaxhmenti i të Dhënave Hulumtuese, Dr. Niegl Craig – përfaqësues nga Departamenti i Strukturave dhe Portofolios Akademike, Dr. Alejandro Gonzales-Olluri – udhëheqës i programit për akreditim dhe sigurim të cilësisë.
Nga këto takime u nxorën disa rekomandime të rëndësishme për institucionet tona akademike si: krijimi i qendrave të hulumtimit për të garantuar cilësi dhe kontroll të vazhdueshëm në procesin hulumtues; themelimi i strukturave për menaxhimin financiar të hulumtimeve, për sigurimin dhe shpërndarjen e fondeve, si dhe për publikimin e rezultateve dhe vendosja e rrugëve të reja të bashkëpunimit ndëruniversitar për shkëmbim stafi dhe studentësh, ligjërata të përbashkëta dhe vizita hulumtuese.
Kjo vizitë kontribuon në avancimin e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në vend dhe në ndërtimin e partneriteteve me institucionet në Mbretërinë e Bashkuar.