Kosova merr nën kontroll objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë ku vepronte Posta e Serbisë
Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e objekteve në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku ndodhej Posta e Serbisë.
Posta e Kosovës njoftoi mbrëmjen e 11 shtatorit se pas finalizimit të procedurave ligjore, këto prona, që tha se ishin shfrytëzuar nga një operator ilegal, tani janë regjistruar si pronë e ligjshme e Postës së Kosovës.
Njoftimi nga POSTA E KOSOVËS:
NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A. merr pronat e saj në Graçanicë dhe Shtërpcë, për t’i vënë në funksion të publikut
Posta e Kosovës ka marrë zyrtarisht në posedim pronat në Graçanicë dhe Shtërpcë, të cilat deri në fillim të këtij viti ishin shfrytëzuar nga një operator ilegal.
Pas finalizimit të procedurave ligjore, këto prona janë regjistruar si pronë e ligjshme e NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A. dhe do të përdoren në funksion të misionit të Postës, duke u vënë plotësisht në funksion të qytetarëve, bizneseve të Republikës së Kosovës, pa dallim.
Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve postare e financiare cilësore, të sigurta dhe transparente në gjithë territorin e vendit.