Kurti te varri i Afrim Bunjakut: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal
Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas homazheve që bëri te varri i rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në përvjetorin e dytë të vrasjes së tij nga terroristët serb në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lartë heroizmin dhe përkushtimin e tij për ta mbrojtur vendin duke dalë i pari në përballje me terroristët serbë, raporton Ekonomia Online.
“Ka mbrojtur qytetarët pa dallim duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit të gjithë. Të bashkë ne jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku së përket Republikës së Kosovës.
E theksoj guximin e dyfishtë, ai ia mësy i pari drejtë bllokadës Banjskë së Zveçanit, këtë e bëri si policë me përvojë, ishte polic 22 vjet prej të cilëve e 16 vjet rreshter tani e ka gradën heroi i Kosovës ku nuk mund t’ia marrë askush. Dua ta theksoj aspektin e guximit ai nuk lejojë që policët tjerë që ishin më të ri të saj t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur në rrugë nga kamionët nga grupi terrorist paramilitar të Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiq nuk i la të rinjtë të vet sakrifikohet të vetëflijohet dhe vet mohohen para tij”, deklaroi Kurti.
Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët që udhëhiqeshin nga Milan Radojçiq.“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, aktakuza përfshinë 45 persona këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, theksoi Kurti.
Postimi nga LVV:
Dy vite nga rënia heroike e Rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku
Në shënim të dyvjetorit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Kryeministri Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të qeverisë dhe kuvendit, me zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, Kryetarin dhe Nënkryetaren e Kuvendit Dimal Basha e Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, si dhe kandidatët për kryetar të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, Faton Peci, Erden Atiq e Sylejman Meholli, vizituan familjen Bunjaku dhe më pas bënë homazhe pranë varrit të heroit, duke vendosur lule të freskëta.
Kryeministri Kurti theksoi se me rënien heroike të Rreshterit Afrim Bunjaku Kosova fitoi më shumë integritet territorial, sovranitet shtetëror, paqe dhe siguri. “Kjo rënie e ngriti Republikën e Kosovës edhe brendshëm, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, si një shtet që i del zot vetvetes dhe që ka policë të gatshëm të sakrifikohen për mbrojtjen e qytetarëve, rendin publik dhe sundimin e ligjit,” tha Kryeministri. Ai kujtoi guximin e dyfishtë të Bunjakut: si polic me përvojë ishte i pari që iu drejtua barrikadës së ngritur nga grupet terroriste serbe, ndërsa në të njëjtën kohë nuk lejoi që policët më të rinj të sakrifikoheshin para tij. Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën që Serbia të dorëzojë pa vonesë para drejtësisë organizatorët dhe ekzekutorët e këtij sulmi, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të mbështetur nga Beogradi zyrtar.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, u shpreh se me rënien e Afrim Bunjakut Kosova humbi një të dashur, por fitoi një hero, duke theksuar se institucionet e vendit do të mbështesin përherë organet e sigurisë në mbrojtje të vendit nga çdo rrezik.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kujtoi ditën e sulmit si një ditë të dhimbshme që u shndërrua në njërën prej ditëve më krenare të historisë së Republikës së Kosovës. “Lavdi Afrim Bunjakut, lavdi të gjithë dëshmorëve të Republikës së Kosovës,” u shpreh ministri Sveçla.
Republika e Kosovës do të kujtojë përherë me nderim dhe mirënjohje Heroin Afrim Bunjaku, i cili me guxim e përkushtim dëshmoi se shteti ynë i qëndron besnik mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe qytetarëve të saj pa dallim.
Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!