Largohet pllaka me mbishkrimin “Dardanus”. Do të ndërtohen ndërtesa!

Shpërndaje

Kjo zonë gjendet në Karposh të Shkupit. Së shpejti këtu pritet të ndërtohet ndërtesa pesëkatëshe. Por siç duket në këto pamje, ky është lokalitet arkeologjik, në të cilën ka artefakte të vjetra me shekuj. Ekipi i televizionit 21 as sot nuk u lejua që të xhirojë nga afër, por nga këto pamje shihet se aty po punojnë arkeologët.

Aty është gjetur edhe pllakë me mbishkrimin “Dardanus”.

Edhe sot Televizioni 21 u përpoq të hyjë në vendin ku janë gjetur gurët me mbishkrimin “Dardania” dhe ca objekte të tjera, mirëpo nuk iu lejua që të incizojë me arsyetimin që është pronë private.

Historiani Muzafer Bislimi thotë se ka ligj që nëse edhe në pronë private gjenden artefakte të rëndësishme për kulturën dhe historinë e popujve, ndërtimi menjëherë ndërpritet.

“Si në gjithë botën edhe në Maqedoninë e Veriut ka ligj i cili thotë se pa marrë parasysh investitori nëse është toka e tij apo jo dhe në pronë private nëse gjenden artefakte që janë të rëndësishme për kulturën dhe historinë e popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, ndërtimi menjëherë ndërpritet dhe lajmërohet Agjencia e Trashëgimisë Kulturore i cili është organ i thirrur”- deklaroi Muzafer Bislimi, historian.

Drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore Arian Asllanaj dje me kërkesë të TV21 erdhi në vend ngjarje dhe premtoi se pllakën me mbishkrimin Dardanus do ta dërgojnë te vendin Arkeologjik Skupi.

Megjithatë në këtë hapësirë siç duket artefaktet janë të shumta.
Por nëse lokaliteti ka aq shumë artefakte të cilat kanë të bëjnë me historinë e popujve që jetojnë këtu në Maqedoni prona private, faktikisht ndërtimi mund të ndalohet tërësisht.
Reagoi edhe Instituti i Trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve

“Shqetësues është fakti se si ka mundësi që “pronari” që i bën punimet, nuk lejon mediat që të
marrin pamje të stelave në fjalë, me arsyetimin se kjo është “pronë private”, duke ditur fare
mirë se kemi të bëjmë për nekropolin e qytetit të Scupi-t. Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi”- thonë nga ITSHKSH.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Arian Asllanaj sot bashkë me ambasadorin kosovar e kanë vizituar këtë vend dhe gjatë ditës pllaka me mbishkrimin Dardanus është dërguar në nekropolin e qytetit të Scupi-t.
Asllani gjithashtu tha se gjatë ditës së nesërme do të thërret konferencë për media.