Osmani zbulon një të dhënë tronditëse: Më shumë se 4 milionë euro në vit shpenzon Çairi për punësime fiktive të aktivistëve
Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit, sot kritikoi ashpër pushtetin aktual lokal për keqpërdorim sistematik të buxhetit komunal dhe për trajtimin e Çairit si bankomat partiak, e jo si komunë e qytetarëve.
Sipas Osmanit, nga buxheti i përgjithshëm i Çairit prej rreth 20 milionë euro, vetëm 8 milionë euro realisht janë të disponueshme për projektet komunale, ndërsa pjesa tjetër janë mjete për çerdhe dhe shkolla që automatikisht ridestinohen.
“Edhe nga ato 8 milionë euro, çdo muaj shpenzohen 350 mijë euro për 720 kontrata fiktive. Këta janë njerëz që rrinë në shtëpi, dalin në tubime partiake dhe shkruajnë në rrjete sociale kundër kundërshtarëve. Me paratë e qytetarëve!”, paralajmëroi Osmani.
Kjo do të thotë se mbi 4 milionë euro në vit vidhen përmes punësimeve klienteliste, ndërkohë që Çairi po fundoset në vrima, papastërti dhe kolaps infrastrukturor. Një nga shembujt më ilustrues: një vrimë në rrugë e mbuluar me një shtresë asfalti, për të cilën komuna ka nënshkruar tender prej 720.000 denarë, krahasuar me 5.000 deri 6.000 denarë në Qendër për të njëjtën ndërhyrje.
“Çairin e kanë trajtuar tmerrësisht, po ia marrin edhe denarin e fundit qytetarëve. Kjo duhet të marrë fund. Nuk bëhet fjalë për ndërrim të politikanëve, por për ndryshim të gjithë kulturës së qeverisjes. Për ndershmëri. Për disiplinë. Për përkushtim ndaj njerëzve,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se kjo betejë nuk është vetëm për një funksion, por për kthimin e interesit publik në qendër të punës komunale.
“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Kërkojnë rrugë të shëndosha, pastërti dhe shërbim, jo propagandë, gënjeshtra dhe parazitë partiakë,” përfundoi ai.