Donald Trump kërcënon Kinën me rritje masive të tarifave, anulon takimin me presidentin Xi në Korenë e Jugut
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka kërcënuar me një “rritje masive” të tarifave doganore ndaj mallrave të importuara nga Kina, duke deklaruar gjithashtu se nuk ka asnjë arsye për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping, në samitin e planifikuar për t’u mbajtur pas dy javësh në Korenë e Jugut.
Trump e akuzoi Kinën për një qasje gjithnjë e më armiqësore, duke iu referuar letrave të dërguara nga Pekini në vende të ndryshme të botës, në të cilat njoftohet për planet për të vendosur kontrolle të rrepta në eksportet e metaleve të rralla.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë diçka e ngjashme, por në thelb kjo do të shkaktojë bllokime në tregjet ndërkombëtare dhe do ta vështirësojë jetën për të gjitha vendet e botës, veçanërisht për Kinën,” shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
Ai shtoi se do të detyrohet të kundërpërgjigjet ekonomikisht, dhe një nga opsionet që po shqyrton është pikërisht rritja e madhe e tarifave ndaj produkteve kineze.
I pyetur për mundësinë e një bisede me homologun kinez, Trump tha se “nuk ka arsye për ta bërë një gjë të tillë.”
Pas deklaratave të Trump, Bursa e Nju Jorkut pësoi rënie, edhe pse treguesit kryesorë kishin filluar ditën me rritje. Indeksi Dow Jones ra me 0.30%, Nasdaq, që përfaqëson kompanitë e teknologjisë, me 0.86%, ndërsa indeksi i gjerë S&P 500 pësoi rënie me 0.50%.
Një ditë më parë, Kina njoftoi se do të vendosë menjëherë kontrolle të reja dhe më të rrepta në eksportet e teknologjisë që lidhen me metalet e rralla, një sektor kyç në përplasjen me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Kina është prodhuesi më i madh në botë i metaleve të rralla, materiale të domosdoshme për teknologjinë digjitale, industrinë e automobilave, energjinë dhe sektorin ushtarak.