Izet Mexhiti: Shkupi në gjendje alarmante nga mbeturinat – Qeveria ndërhyn me mbikëqyrje të jashtëzakonshme
Zëvendëskryeministri dhe kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së rëndë të pastërtisë në kryeqytet, duke e cilësuar Shkupin si “pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale”, njofton albazone media. Ai njoftoi se, me urdhër të Qeverisë, është iniciuar një mbikëqyrje e jashtëzakonshme mbi mënyrën e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave në territorin e Qytetit të Shkupit, si dhe një kontroll i plotë ndaj punës së Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup”. Mexhiti paralajmëroi aksion të menjëhershëm për pastrimin e qytetit, duke theksuar se “qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti, dinjitet dhe institucione që punojnë për ta.”
Reagimi i plotë nga zv.kryeminstri dhe kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti:
Shkupi është katandisur në një gjendje të rëndë të mbeturinave. Rrugët, lagjet dhe hapësirat publike janë lënë pas dore, duke u kthyer në pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale.
Menaxhimi i mbeturinave komunale në Shkup bëhet përmes ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale – Shkup”, e cila aktualisht drejtohet nga koalicioni BDI – Danella – Levica. Këta mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kaosin dhe papastërtinë që ka pushtuar qytetin.
Por, ne nuk do të rrimë duarkryq.
Të nderuar banorë,
ju njoftoj se sot Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj mënyrës së mbledhjes dhe transportit të mbeturinave në territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të gjendjes alarmante të krijuar ditëve të fundit.
Gjithashtu, Qeveria ka urdhëruar që të bëhet kontroll i detajuar mbi punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup”, për shkak të mosmbledhjes së rregullt të mbeturinave, e cila po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Shumë shpejt do të ndërmarrim aksion të plotë për pastrimin e qytetit, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti, dinjitet dhe një administratë që punon për ta.