Kjo është instruktorja shqiptare në Aviacionin arab

Shpërndaje

Borana Korça nuk e kishte menduar se puna si stjuardesë do të zbulonte te vetja e saj pasionin për udhëtimet dhe kështu të zbulonte pasionin e saj për fluturimin dhe botën e aviacionit.

Prej gjashtë vitesh ajo jeton në Riad të Arabisë Saudite ku sot punon si instruktore e shërbimit dhe instruktore e menazhimit te burimeve të ekuipazhit në Aviacionin arab. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”, Borana na flet për suksesin e saj jashtë vendit dhe planet për të ardhmen.

Borana prej gjashtë vitesh tashmë jetoni në Riad të Arabisë Saudite. Për publikun shqiptar, kush është Borana?

Jam lindur dhe rritur në Tiranë, me origjinë nga qyteti i bukur i Pogradecit. Kam nisur karrierën në aviacion në Shqipëri në një moshë shumë të re si stjuardesë dhe më pas si shefe kabine dhe në Departamentin e Pranifikimit të Ekuipazheve. Pas mbylljes së operimeve nga kompania ajrore ku punoja në Shqipëri, erdha në Arabi Saudite duke e filluar karrierën përsëri si stjuardesë e më pas shefe kabine dhe tashmë si instruktore e shërbimit dhe e menaxhimit të burimeve të ekuipazheve. Kam qenë pjesë e stafit rekrutues për stjuardesa ku kam pasur të mundur të rekrutoj dhe vajzat tona shqiptare. Gjithashtu kam marr pjesë dhe në konferenca ndërkombëtare rreth aviacionit si delegate dhe si folëse.

Pandemia ka prekur gjithë botën dhe çdo fushë të jetës përfshi dhe aviacionin. Si është situata në Arabinë Saudite dhe sa i prekur është sektori i aviacionit?

Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Në Arabi Saudite operimi i fluturimeve ka ndaluar për dy muaj e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe kemi qenë të gjithë të izoluar në shtëpi duke u munduar të punojmë nga shtëpia për një rikthim të suksesshëm. Sot akoma vazhdojmë të mos operojmë në disa destinacione por pavarësisht vështirësive situata është menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer nga kompania si dhe nga ndihma e shtetit për suportin e kompanive private në aviacion. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar është që asnjë punonjës i kompanisë nuk ka qenë i detyruar të humbasë vendin e punës. Janë marrë masa të shumta për uljen e kostove por të gjitha kanë qenë të mirëkuptueshme për shkak të situatës.

Stjuardesë ka qenë profesioni juaj që e nisët që në Shqipëri. Ka qenë një zgjedhje e rastësishme apo pasioni juaj për udhëtimet?

Ka qenë totalisht e rastësishme. Një mikesha ime më sugjeroi të aplikoja si stjuardesë të cilës i jam shumë mirënjohëse. E kam vendosur brenda një dite të aplikoja dhe të jepja intervistën. Nuk kisha ekperiencë me udhëtimet me avion, madje fluturimi im i parë në avion ka qenë me uniformë stjuardese. Pasionin për udhëtimet e zbulova më pas nga eksperienca e bukur në punë.

Pse zgjodhët Riadin për të vijuar karrierën tuaj? Sa e vështirë ka qenë përshtatja me një tjetër kulturë nga ajo e jona?

Aviacioni në Shqipëri për një periudhë nuk kishte shumë opsione punësimi dhe disa nga pilotët shqiptare dhe të huaj që më parë punonin në Shqipëri na sugjeruan të aplikojmë në Arabi Saudite. Shoku kulturor ka qenë i madh megjithëse Arabia Saudite nuk ishte ai vendi për të cilin kishim lexuar dhe dëgjuar në lajme. Kultura ishte shumë e ndryshme. Rojet fetare ishin kudo të cilet kontrollonin nëse të gjithë po respektonin rregullat e vendit. Tashmë vendi ka ndryshuar shumë. Jetesa është pothuajse normale. Por gjithmonë këtu jemi ndjerë të mirëpritur. Ajo që dua të theksoj është se një vend nuk përfaqësohet nga njerëzit që përmenden në rubrikat e zeza të lajmeve. Nëse do të njohësh një vend apo kulturë, tako ata njerëzit e thjeshtë që nuk bëjnë shumë bujë, që jetojnë jetën e tyre mes miqsh e familjarësh, dhe do të njiheni me kulturën e vërtetë të atij vendi. Arabia Saudite ka një kulturë të mrekullueshme.

Sot jeni dhe instruktore e shërbimit dhe instruktore e menaxhimit te burimeve të ekuipazhit. Na tregoni pak për këtë profesion. A ka shqiptarë që janë “nxënës” tuajit?

Është një profesion shumë i bukur. Më krijon mundësinë të mësoj nga ekuipazhet po aq sa ata mësojnë nga unë, mbase dhe më shumë. Çdo klasë e shijoj pa masë. Kultura të ndryshme që sjellin pikëpamjet e tyre dhe diskutime aq të bukura më bëjnë ta dua dhe më shumë si profesion. Temat për të cilat jap mësim më lejojnë ta shijoj këtë diversitet duke qenë se flasim për kujdesin ndaj pasagjerëve, si dhe tema në lidhje me punën në grup, marrjen e vendimeve, komunikimin, menaxhimin e stresit e të tjera.
Sigurisht dhe vajzat shqiptare kanë qenë disa herë studentet e mija. Janë shumë vajza të zgjuara dhe me një edukatë pune për tu admiruar, gjë që më bën të ndihem shumë krenare.

Cilat janë synimet tuaja? A mund të flasim për një Borana si pilote në të ardhmen?

E kam pasur disa herë në mendje idenë e pilotimit por angazhimi që kam pasur duke u përqendruar në kabinën e pasagjerëve më ka bërë ta anashkaloj këtë ide. Besoj se tani jam më e qartë për ate që dua. Pasioni për profesionin e stjuardesës më ka përqendruar totalisht në trajnimin e vajzave dhe djemve që kanë të njëjtën dëshirë si unë dikur.

Si janë lidhjet tuaja me Shqipërinë? Sa e përfshirë është ajo në planet dhe punën tuaj?

Shqipërinë e dua shumë dhe më mungon jashtë mase. Vij vazhdimisht për pushime për të takuar miqtë e familjarët e mi megjithëse kohët e fundit nuk kam ardhur për shkak të pandemisë. Uroj që e gjithë kjo situatë të mbarojë shpejt e të vij më shpesh. Jam vazhdimisht në kontakt me ish kolegët e mi e ndajmë vazhdimisht eksperienca pune. Në Shqipëri ka shumë profesionistë në aviacion dhe kam qenë me shumë fat që kam punuar dhe mësuar nga më të mirët atje.
Për sa i përket planeve, akoma nuk kam një plan konkret por nuk përjashtohet mundësia për t’u kthyer në Shqipëri.

A ka shumë shqiptarë në Riad, a keni krijuar kontakte me njëri-tjetrin?

Po, ka shumë. Nuk jam në kontakt me të gjithë por nga informacioni që kemi përmes Ambasadës Shqiptare këtu në Riad, janë shumë shqiptare që jetojnë dhe punojnë këtu me familjet e tyre si dhe shumë studenta nga Shqipëria dhe Kosova. Gjithashtu ka dhe shumë vajza që punojnë këtu në kompani të ndryshme në aviacion.
Mendoj se shqiptarët janë njerëz shumë të zotë dhe ia dalin të ecin përpara kudo./diasporashqiptare.al