Kurti: Pasaporta e Republikës së Kosovës, më e fuqishme se kurrë – dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se pasaporta e Republikës së Kosovës po njeh suksesin më të madh që nga shpallja e pavarësisë, duke u renditur në vendin e 65-të në Indeksin e Pasaportave Henley për vitin e fundit – një ngritje e ndjeshme krahasuar me vendin e 108-të në vitin 2021 dhe të 68-tin në vitin e kaluar. Ky progres, sipas Kurtit, është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë për forcimin e shtetësisë dhe avancimin ndërkombëtar të Kosovës, nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te zgjerimi i bashkëpunimit diplomatik me shumë vende të botës.
“Me pasaportën tonë që po bëhet çdo ditë më e njohur dhe më e respektuar ndërkombëtarisht, qytetarët tanë udhëtojnë më lirshëm, ndërsa Republika jonë bëhet më e fuqishme e më e dinjitetshme në arenën globale,” u shpreh Kurti.
Postimi i plotë:
Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të.
Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë.
Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë.