SHBA-Japoni marrëveshje për mineralet, kryeministrja Sanae Takaichi: Do nominoj Trump për Nobelin e paqes
Gjatë vizitës së udhëheqësit amerikan në Tokio, Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, lavdëruan “epokën e artë” të raporteve mes vendeve. Ata nënshkruan një marrëveshje që synon t’i sigurojë Uashingtonit minerale të rralla.
Takaichi, gruaja e parë kryeministre në Japoni lavdëroi Trumpin dhe njoftoi se do ta nominojë atë për Çmimin Nobel për Paqe, tha Shtëpia e Bardhë.
Në këmbim, Trump, i cili u takua për herë të parë me Takaichin gjatë turneut të tij në Azi, tha se Uashingtoni është aleat “i nivelit më të fortë të mundshëm”.
“Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht kaq herët në atë që mendoj se do të jetë një nga kryeministrat më të mirë,” tha Donald Trump, president i SHBA-ve.
Edhe kryeministrja japoneze e vuri theksin tek aleanca mes dy shteteve.
“Do të doja të realizoja një epokë të re të artë të aleancës Japoni-SHBA, ku si Japonia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të bëhen më të forta dhe më të begata,” tha Sanae Takaichi, kryeministre e Japonisë.
Trump arriti në Japoni të hënën dhe gjatë turneut në Azi pritet të takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping, takim që mund të ndihmojë në tejkalimin e luftës tregtare mes dy vendeve.

