MaqedoniTop Lajme

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” e forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

Shpërndaje

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, dhe Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, sot qëndroi për vizitë pune në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në Shqipëri.

Vizita kishte për qëllim zgjerimin e bashkëpunimit në fushën akademike dhe kërkimore-shkencore, përfshirjen në projekte të përbashkëta shkencore e inovative, si dhe angazhimin për shkëmbimin e personelit akademik dhe të studentëve.

Për zyrtarizmin e këtij bashkëpunimi, u nënshkrua Marrëveshja nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu.

Marrëveshja e nënshkruar midis dy universiteteve parashikon që Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Universiteti i Tetovës të angazhohen për një bashkëpunim të ngushtë që synon zhvillimin e aktiviteteve akademike, shkencore dhe kërkimore në nivele të larta, me qëllim forcimin e kapaciteteve të të dy institucioneve.

Bashkëpunimi ndëruniversitar pritet të realizohet përmes organizimit të aktiviteteve akademike dhe shkencore, si seminare, konferenca, simpoziume dhe trajnime, që do të kontribuojnë në zgjerimin e njohurive dhe shkëmbimin e përvojave mes stafit akademik dhe studentëve. Këto aktivitete do të fokusohen gjithashtu në lidhjen e kërkimit shkencor me nevojat aktuale të shoqërisë dhe ekonomisë, duke adresuar tema dhe sfida që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.

Po ashtu, universitetet, mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, do të krijojnë mundësi për shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, si një hap drejt zhvillimit të përvojave profesionale dhe ndërinstitucionale. Ky shkëmbim do të përfshijë aspekte të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe aktiviteteve të tjera, duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe në zhvillimin e aftësive akademike e profesionale. Dy institucionet e arsimit të lartë do të punojnë gjithashtu në realizimin e projekteve kërkimore-shkencore me interes të përbashkët, të cilat do të kontribuojnë në avancimin e njohurive dhe në zgjidhjen e problemeve praktike e shkencore në fushat e arsimit dhe kërkimit.

Marrëveshja e nënshkruar sot shtrihet edhe në forcimin e kapaciteteve për kërkim dhe inovacion, duke krijuar mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm ndërkombëtar.