Universiteti i Tetovës merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar për Financa, Ekonomi dhe Politika të Qëndrueshme në Prishtinë
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar dhe nga Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Yzeiri Baftijari marrin pjesë në Kongresin IV Ndërkombëtar për Financa, Ekonomi dhe Politika të Qëndrueshme (ICOFESP), i cili po zhvillohet më 30–31 tetor 2025 në Universitetin e Prishtinës.
Ky kongres, me pjesëmarrje të gjerë akademike dhe institucionale nga vende të ndryshme, adreson tema të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik, stabilitetin financiar dhe politikat moderne të zhvillimit rajonal. Sesionet shkencore të këtij kongresi do të trajtojnë: zhvillimin rajonal dhe qëndrueshmërinë ekonomike në Kosovë dhe Turqi; rolin e inovacionit në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik; politikat e klimës dhe rëndësinë e standardeve ESG në sektorin energjetik.
Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se pjesëmarrja e Universitetit të Tetovës në këtë kongres përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit akademik dhe rritjen e prezencës ndërkombëtare të institucionit në forume shkencore me fokus në politikat zhvillimore dhe ekonomike.
Në këtë ngjarje shkencore u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe shkëmbimit të përvojave akademike në funksion të zhvillimit socio-ekonomik të rajonit dhe forcimit të kapaciteteve kërkimore të institucioneve të arsimit të lartë.

