Shqipëria nën “ethet” e zgjedhjeve për 61 bashkitë në vend. Votimi monitorohet nga 230 vëzhgues ndërkombëtarë

Shpërndaje

Të dielën e 14 majit qytetarët shqiptarë me të drejtë vote do të vendosin për kryetarët në 61 bashkitë e vendit dhe për Këshillat Bashkiakë.

5212 qendra votimi do çelin dyert prej orës 7.00 të mëngjesit për t’i dhënë mundësi qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre me votë.

Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, nga ku 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Materialet zgjedhore kanë nisur të shpërndahen që më 9 Maj fillimisht në bashkitë e qarqeve Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Fier, e më pas në bashkitë e tjera. Në garë janë 144 kandidatë, ndërkohë që 23.700 të tjerë konkurrojnë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë.

Zgjedhjet vendore të 14 majit do të monitorohen nga 230 vëzhgues ndërkombëtarë, ku pjesa më e madhe janë angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it

Në 3 bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë, votimi si dhe numërimi do të kryhet në mënyrë elektronike, ku rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit.

Në qarkun e Shkodrës janë 275, 864 votues dhe votohet në 5 bashki. KQZ ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore së bashku me dokumentacionet përkatëse në 247 qendrat e votimit

Edhe në qarkun e Lezhës janë 176 mijë banorë me të drejtë vote, ku më 14 maj në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë do përcaktohen kryetarët dhe këshillat e rinj bashkiakë. Për Bashkinë e Lezhës janë thirrur për të votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2023, rreth 90 mijë votues. Bashkia e Mirditës numëron 27 mijë votues dhe Bashkia e Kurbinit numëron 59 mijë votues.

Qarku i Dibrës ka 131, 282 qytetarë me të drejte vote, të cilët do t’i drejtohen 224 qendrave të votimit në katër bashkitë e saj për të zgjedhur kryebashkiakun e ardhshëm.

Qarku i Kukësit, i përbërë nga 3 bashki, ka gjithsej 84,656 qytetarë me të drejtë vote.

Qarku i Durrësit ka 3 bashki, ku në total ka 368, 201 votues, pjesa më e madhe në bashkinë e Durrësit.

Qarku i Tiranës ka 937, 681 qytetarë me të drejtë vote në 5 bashkitë e saj.  Në këtë qark Bashkia e Kamzes ka 109 mijë votues

Në 7 bashkitë e qarkut Vlorë janë thirrur në votime 323226 zgjedhës, që votojnë për 17 kandidatë dhe 175 emra për këshillat bashkiake. Në këto bashki ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore, ku do të jetë policia e cila do të marrë në ruajtje qendrat e votimit deri në fillimin e procesit të votimit. Më tej uniformat blu, do të pozicionohen në terren për të qenë në gatishmëri deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Qarku i Fierit ka në total 408 mijë e 231 votues, të cilët do të zgjedhin kryebashkiakët në bashkitë Fier, Divjakë, Lushnje, Mallakastër, Patos e Roskovec.

Qarku i Elbasanit ka 351, 455 qytetar me të drejtë vote në 7 bashkitë e qarkut.

Në qarkun e Beratit janë 184 143 votues dhe 276 qendra votimi në total për 5 bashkitë që përfshihen në të.

Qarku i Korçës ka 6 bashki ku janë vendosur 425 qendrat e votimit ku do të jenë 285, 626 qytetarë me të drejtë vote.

Në qarkun Gjirokastrës do të jenë 122 806 qytetarë me të drejtë vote që do zgjedhin kryetarët e 7 bashkive. Në Bashkinë Dropull nuk janë shpërndarë ende materialet e votimit, ku nga 37 QV janë shpërndarë vetëm në 7. Sipas gazetarit të RTSH, Olsi Karagjozi procesi ka qenë i ngadaltë për shkak të mos plotësimit të anëtarëve në qendrat e votimit, por që problematika po zgjidhet. Bashkia Dropull është e dyta më e madhe në qarkun e Gjirokastrës me gati 19 mijë votues.

/rtsh.al/