MaqedoniTop Lajme

Zgjedhjet/ Dhjetëra ankesa në KSHZ

Shpërndaje

Dhjetëra ankesa të dorëzuara nga partitë politike për procesin e votimit, por edhe për procesin e mbledhjes së rezultateve të zgjedhjeve të së dielës. VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar katër ankesa për Komunën e Çashkës, për katër vendvotime, të cilat, nëse pranohen nga KSHZ-ja, rrezikojnë seriozisht fitoren e Suat Shaqirov, nga AKI-ja që në rrethin e parë.

Bëhet fjalë për vendvotimet 2204 në të cilin sipas ankesës, thuhet se procesverbali nuk korrespondon me situatën faktike dhe rrjedhën e votimit.

Në vendvotimin 2205/ 1, ankesa thotë se procesverbali nuk është firmosur dhe është vërejtur dalje jashtëzakonisht e lartë në termine të caktuara.

E njëjta situatë, sipas VMRO-DPMNE-së, është edhe në vendvotimin 2205.

Në vendvotimin 2228, një votuesit pas identifikimit me letërnjoftim, i është mohuar e drejta e votës, për shkak se identiteti i tij nuk është gjetur në aparatin biometrik për identifikim.

4 ankesat e VMRO-DPMNE-së për Çashkën:

2204 – Procesverbali nuk korrespondon me situatën faktike dhe rrjedhën e votimit.

2205/ 1 dhe 2205 – Nuk është firmosur dhe është vërejtur dalje jashtëzakonisht e lartë në orë të caktuara.

2228 – Një votuesi i është mohuar e drejta e votës për shkak se nuk është identifikuar nga aparati biometrik.

Kandidatin e AKI-së në Çashkë i cili rezulton me fitore që në rrethin e parë e kanë votuar 50,71% ose 2322 votues. Ai është shqiptari i parë që fitoi këtë pozitë në këtë komunë. Fitorja e Shaqirov rrezikohet për 32 vota, duke qenë se për fitore do t’i duhen minimalisht 2290 vota.

Aleanca Kombëtare për Integrim nga ana tjetër, përpiqet të shpëtojë procesin e votimit në Gostivar. Dy ankesat e tyre për këtë komunë kanë të bëjnë me dy vendvotime. Sipas ankesave, në vendvotimin 0416, të dhënat e procesverbalit dhe numri i votuesve që kanë votuar, nuk përputhen. Në vendvotimin 0412, thuhet se sipas procerverbalit, numri i votave për Të Majtën është 63 kurse sipas të dhënave të KSHZ-së, është 48.

2 ankesat e AKI-së për Komunën e Gostivarit:

0416 – Të dhënat e procesverbalit dhe numri i votuesve që kanë votuar nuk përputhen.

0412 – Sipas të dhënave të procesverbalit, numri i votave për Të Majtën është 63 vota, ndërsa sipas të dhënave të KSHZ-së, 48 vota.

Suksesi i rrethit të parë të procesit zgjedhor në Gostivar varet nga 22 vota. Gjegjësisht, pa këto vota, procesi duhet të përsëritet nga e para për shkak se nuk është plotësuar kushti ligjor për dalje në votime të të paktën 1/3 së votuesve të regjistruar në listë. Nëse KSHZ-ja pranon ankesën dhe përsëritet votimi në këto dy vendvotime, censusi edhe mund të arrihet nëse dalin të paktën edhe 22 votues më shumë se të dielën.

Lista e ankesave në KSHZ-së shtohet vazhdimisht, kurse afati për ankesa për procesin e mbledhjes së rezultateve përfundon sonte. VMRO-DPMNE-ja ka edhe ankesa për komunat Krivogashtan, Vinicë dhe Bogdancë, kurse AKI-ja ka ankesë për komunën e Butelit. Ankesa të tjera ka edhe Unioni i romëve për Shuto Orizaren.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve detyrohet që në afat prej 72 orësh pas marrjes së ankesës, të sjell vendim. / Alsat.mk